E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diplomohen studentët e grupit të dytë të Kursit të Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes



Tiranë - Në Akademinë e Mbrojtjes “Spiro Moisiu” u zhvillua dje ceremonia e diplomimit të studentëve të Kursit të Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen. Kursi i Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen është i dyti i hapur me urdhër të ministrit Gazmend Oketa më 20 korrik të këtij viti. Organizimi, programimi dhe zhvillimin e këtij kursi ishte fryt i ndihmës dhe i bashkëpunimit të suksesshëm me Qendrën Italiane të Studimeve të Larta të Mbrojtjes (CASD) me Qendrën “Marshall” dhe Universitetin e Kolorados në SHBA. Në të morën pjesë 20 studentë, ushtarakë e civilë, që punojnë në strukturat e sigurisë dhe të mbrojtjes në vendin tonë si dhe studentë nga vendet fqinje. Në ceremoninë e sotme ishin të ftuar ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, zv.ministrja e Mbrojtjes, Zana Xhuka, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneral brigade Maksim Malaj. Gjithashtu merrnin pjesë edhe presidenti i Qendrës Italiane të Studimeve të Larta të Mbrojtjes në Romë, admiral Marcantonio Trevisani dhe kolonel Giovani Cazzora, përfaqësues i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Italiane. Qëllimi kryesor i këtij kursi ka qenë thellimi i njohurive në çështjet kryesore që ndikojnë në sigurinë ndërkombëtare, si dhe në faktorët që konturojnë strategjinë e sigurimit kombëtar dhe të atyre që përbëjnë shtyllat kryesore të sigurimit të përbashkët. Fjalën e hapjes në ceremoni e mbajti drejtori i kursit, kolonel Jeronim Baze, i cili falënderoi stafin e profesorëve dhe lektorëve për punën e madhe si dhe studentët, që me vullnet arritën të përmbushnin me sukses qëllimin e këtij kualifikimi. Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, evidentoi se përgjatë tre muajve janë marrë leksione të rëndësishme përsa u përket marrëdhënieve ndërkombëtare, aktorëve kryesorë të sektorit të sigurisë, mënyrën e zhvillimit të këtyre strategjive, rrezikun dhe sfidat në këtë fushë, bashkëpunimi dhe ndërveprimi, integrimi në Bashkimin Europian dhe në NATO, si dhe çështje të tjera që lidhen me zhvillimin.

14 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›