E Diel, 1 Nëntor 2026

Diveroli bleu nga Bullgaria municione të vitit 1944

Edhe municionet e nisura nga Rinasi ishin prodhim kinez. Shumica e municioneve nën kontratën e Afganistanit ishin 40, 50 ose 60-vjeçare

Lorenc Vangjeli

Vazhdon publikimi i dosjes hetimore AEY, e përgatitur nga komisioni hetimor i Kongresit Amerikan. Bëhet e vështirë, pothuaj e pamundur, që të gjendet qoftë edhe një kontratë e vetme e AEY-së që të mos ketë shkelje. Në këtë numër mjafton të përmendet si “kuriozitet” fakti që kompania e Diverolit ka arritur të blejë për të rishitur municione bullgare të prodhimit të vitit 1944. Kështu ka ndodhur edhe në Shqipëri, por me një detaj shtesë, përveçse të vjetra e pothuaj të papërdorshme, municionet e nisura nga Rinasi ishin prodhim kinez, gjë që ndalohet kategorikisht nga ligji amerikan, sipas të cilit presupozohej të vepronte kompania AEY. MAPO publikon sot, pa koment, pjesën e katërt të këtij raporti.

Ekzekutim dhe mbikëqyrje e varfër e kontratës

Në kontratën që iu akordua AEY në janar të 2007-s për të furnizuar me municione forcat e sigurisë afgane, Departamenti i Mbrojtjes ofroi pak ose aspak udhëzime mbi cilësinë apo kushtet e municioneve të kërkuara. Kontrata u referohej municioneve si ‘të përdorshme’, por nuk jepte detaje të tjera. Gjithashtu, kontrata në veçanti e lejoi përdorimin e municioneve “surplus” dhe nuk vuri asnjë limit vjetërsie për municionet e blera nga AEY. Një seksion i kontratës, mbi të cilin zyrtarit kontraktues iu kërkua të jepte shpjegime prej kompanive konkurruese gjatë procesit të tenderimit, e adresonte këtë çështje në veçanti:
Pyetja: A ka një limit vjetërsie për mallrat që do të dorëzohen nën këtë kontratë?
Përgjigja: Jo, por materialet duhet të jenë në gjendje përdorimi dhe të përdorshme nga të gjitha njësitë, pa kualifikime. Pavarësisht natyrës së rrezikshme të ngarkesës, kontrata nuk kishte asnjë kufizim mbi tipin e paketimit që do të përdorej gjatë transportit të municioneve. Kontrata përmbante udhëzimet e mëposhtme, por pa shpjegime të mëtejshme: “Paketimi të bëhet sipas praktikave më të mira komerciale për transport ndërkombëtar”. Dokumentet nuk e shpjegojnë qartë arsyen përse Departamenti i Mbrojtjes nuk përfshiu udhëzime të sakta mbi cilësinë, vjetërsinë dhe mënyrën e paketimit brenda kontratës. Kontrata të tjera të Departamentit për municione të ngjashme i kishin përfshirë kufizime të tilla. Për shembull, kontratat për të siguruar municione jostandarde për përdorim nga Forcat e Sigurisë Irakene përmbanin një klauzolë që municionet të ishin jo më të vjetra se 20 vjet. Dokumentet e siguruara prej Komisionit tregojnë se AEY i kushtoi vëmendje të veçantë kufizimeve të vjetërsisë së municioneve në kontrata të ndryshme, duke përfshirë këtu edhe kontratën për municionet afgane. AEY u përpoq që ta shfrytëzonte mungesën e kufizimeve kontraktuale për përfitim të saj me qëllim që të siguronte blerjen e municioneve më të vjetra e më të lira. Në një kërkesë për të marrë çmime të ndryshme gjatë kontratës së Afganistanit, AEY i shkruante furnizuesve potencialë: “Nuk ka asnjë kufizim vjetërsie për këtë kontratë, kështu që ju lutemi ta merrni nën konsideratë këtë fakt”. Gjatë një korrespondence tjetër në lidhje me të njëjtën kontratë, AEY shkruante: “Ju lutemi, vëreni se nuk ka kufizim vjetërsie për këtë kontratë!!!” Gjatë një kërkese të tretë, AEY nënvizonte: “Ju kujtojmë se megjithëse çmimet e targetuara duken të ulëta, ne e kemi firmosur tashmë këtë kontratë me Qeverinë Amerikane…. Dhe ÇDO vjetërsi e municioneve është e pranueshme”. Në korrik 2007, kur kufizimi brenda një kontrate tjetër që kërkonte municione të prodhuara gjatë 20 vjetëve të fundit u tërhoq nga klauzolat kontraktuese, një punonjës i AEY shkroi mbi dokumentin: “FANTASTIKE!!”

Mungesa e specifikimeve

Si rrjedhojë e mungesës së specifikimeve të veçanta, shumica e municioneve që AEY ofroi nën kontratën e Afganistanit ishin 40, 50 ose 60-vjeçare. AEY bleu municione në Bullgari që ishin prodhuar në vitin 1944. Gjithashtu, bleu municione nga Sllovakia që ishin prodhuar në vitin 1956. AEY gjithashtu e shfrytëzoi mungesën e inspektimeve rigoroze të Departamentit të Mbrojtjes për përfitim të saj. Sipas një zyrtari kontraktues, Agjencia e Menaxhimit të Kontratave të Mbrojtjes nuk kreu inspektime konsistente të municioneve të shpërndara nga AEY, duke përdorur një sërë arsyesh, përfshirë këtu mosaftësinë për të dërguar inspektorë në vendet e ndryshme Lindore prej të cilëve AEY e prokuroi këtë sasi municionesh. Në Afganistan, si Agjencia e Menaxhimit të Kontratave të Mbrojtjes (DCMA), ashtu dhe Komanda e Kombinuar e Sigurisë së Tranzicionit – Afganistan (CSTC-A), argumentuan se për shkak të burimeve të kufizuara ishte i pamundur “inspektimi 100%” i dërgesave të municioneve. Në ato raste kur zyrtarët ushtarakë kryen inspektime, ata zbuluan probleme serioze me municionet e dërguara nga AEY. Për shembull, në një raport të marrë nga Komisioni, një zyrtar i Departamentit të Mbrojtjes e përshkruante cilësinë e një ngarkese municionesh të datës 10 mars 2008 si më poshtë: Inspektimet fillestare treguan shenja të konsiderueshme gërryerjeje, ndryshkjeje dhe te municionet dallohej një substancë vajore; përfaqësuesit e CSTC-A raportojnë se municionet janë jashtë përdorimit. Municionet e kësaj dërgese gjykohet të jenë në limitet e sigurisë përsa i përket magazinimit dhe transportimit.
Zyrtari i Departamentit të Mbrojtjes vuri re po ashtu se municioni ose nuk ishte etiketuar, ose nuk ishte kategorizuar në mënyrën e duhur: “Municionet ishin dërguar në kuti municioni të etiketuara gabim... Duke qenë se pjesa më e madhe e kutive ishin të etiketuara keq, nuk mund të themi me siguri se çfarë përmbante secila kuti. Çdo kuti duhet hapur, identifikuar dhe numëruar. Disa prej kutive përmbajnë thjesht pirgje fishekësh. Po ashtu mungon dhe dokumentacioni. Në arkat e municioneve nuk kishte dokumente mbi përmbajtjen, paralajmërime për rrezikshmërinë, apo fatura”. Në një raport tjetër të datës 28 shkurt 2008, po i njëjti zyrtar i Departamentit të Mbrojtjes përshkroi se si paketimi i AEY ishte aq i dobët sa ngarkesa e municioneve nuk mund të shkarkohej dot nga aeroplani: “Gjatë kohës që aeroplani ishte në lëvizje, tri arka u shpërbënë si pasojë e dëmtimeve të mëdha që kishte pësuar druri nga termitet. Dy kontejnerë që përmbanin fitila tregojnë shenja dëmtimesh të konsiderueshme të arkave dhe infektimi nga termitet. Një tjetër kontejner që përmbante fitila tregonte shenja dëmtimesh nga lëvizjet në tokë përpara se të mbërrinte/dorëzohej në Aeroportin Ndërkombëtar të Kabulit. Shtatë arka druri në një prej kontejnerëve u shpërbënë kur u nxorën nga aeroplani prej hamejve si pasojë e dëmtimit të konsiderueshëm nga termitet. Dëmtime të konsiderueshme nga uji dhe ndryshku të kutive metalike të fitilave...municionet e kësaj ngarkese nuk janë më të sigurta për t’u transportuar”.
Më 18 mars 2008, Ushtria i dërgoi një letër AEY ku deklaronte se municionet “kishin rezultuar të papranueshme” dhe kërkonte që AEY të zgjidhte problemet. Në një email të dërguar po atë ditë, një punonjës i AEY pranoi privatisht se kompania kishte dërguar “municione të dhjera” në Afganistan. AEY po ashtu nuk i dërgonte municionet në kohë. Një letër nga Ushtria e datës 8 janar 2008 deklaronte se AEY ishte 4 muaj me vonesë për dërgimin e 2 milionë fishekëve dhe 8 muaj me vonesë për një tjetër ngarkesë prej 3 milionë fishekësh. Në një letër dërguar Ushtrisë, AEY ua vinte fajin për vonesat nënkontraktuesve dhe gabimeve burokratike, duke shkruar: “Fatkeqësisht, disa marrëveshje kyçe, tek të cilat mbështetej AEY, ose janë prishur ose kanë vuajtur si pasojë e mospërputhjeve dhe vonesave të shitësve, të cilët nuk arrijnë t’i përmbahen zotimit fillestar për shkak të licencave, dokumentimit dhe disponibilitetit”. Sipas një zyrtari kontraktues, AEY dha një sërë shfajësimesh për vonesat, përfshirë këtu një furnitor që “shkeli kontratën dhe ia shiti municionet dikujt tjetër”, “mall jashtë standardeve” dhe “ndryshimi i vlerës së euros.”

14 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›