E Diel, 1 Nëntor 2026

G99: Qeveria të nisë brenda janarit 2009 aplikimin për anëtarësimin e Shqipërisë në BE



Lëvizja G99 kërkon nga qeveria që të nisë në fillim të vitit të ardhshëm procedurat e aplikimit për kandidimin e Shqipërisë si vend anëtar i Bashkimit Europian. Aktivisti i G99-s, Arbër Mazniku, tha se aplikimi për kandidimin e Shqipërisë për anëtarësimin në BE është një detyrë imediate e qeverisë aktuale. “Qeveria shqiptare duhet të ndalojë së thëni vetes që dëshiron t’i bashkohet BE-së, por të bëjë hapin më të parë, më bazik dhe logjik: të lajmërojë synimin e saj tek europianët dhe institucionet e BE-së duke aplikuar. I kërkojmë kryeministrit Berisha që të paktën një herë në qeverisjen e tij të mos mendojë për interesat e tij, por të mendojë për vendin dhe të çojë aplikimin e shqiptarëve për anëtarësim në Bashkimin Europian në Bruksel brenda janarit 2009.
Vetëm në këtë mënyrë, aplikimi ynë mund të konsiderohet në takimin e Këshillit Europian në mars. Ndërkohë, qeveria shqiptare dhe e gjithë administrata duhet të fillojë të përgatitet për procesin e plotësimit të pyetësorit në vend që të angazhohet në një fushatë politike. Serbia e Mali i Zi, ende pa aplikuar, kanë tashmë gati përgjigjet për pyetjet voluminoze që do të vijnë nga Brukseli përpara marrjes së statusit të kandidatit. Aplikimi për në Bashkimin Euopian kërkon punë, standarde e reforma të vërteta, jo spote e mitingje elektorale”, - tha Mazniku.

14 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›