Falja e të dënuarve vihet në pikëpyetje për këtë vit
Laureta Rryçi
Tiranë - Falja e të dënuarve nga presidenti me rastin e festave të fundvitit vihet në pikëpyetje. Një shkresë e mbërritur dy ditë më parë në të gjitha burgjet e vendit ka ndryshuar rrjedhën e punës për sektorin juridik. Burime pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve pohuan dje për gazetën “Albania” se në shkresë thuhet që informacioni për disa të dënuar nuk kërkohet më me ngut, pasi falja mund të bëhet edhe pas festave. Të njëjtat burime shpjeguan se në shkresën e parë thuhej se informacioni duhet të përgatitej sa më parë nga sektori juridik. Ndërsa shkresa e dytë duket se ka ndryshuar ritmin e punës. Kësaj radhe juristët kanë më shumë kohë për të përgatitur informacionin për të dënuarit që pretendojnë të përfitojnë nga falja.
Shkresa
Në të gjitha burgjet e vendit, në fillim të muajit dhjetor u dërguan lista me emrat e të dënuarve për të bërë verifikime në dokumentacion nëse u takonte apo do të përfitonin nga falja e fundvitit. Kompetencë e cila është në dëshirën e presidentit për t’u ushtruar dy herë në vit. Në shkresë thuhej se informacioni duhet të përcillej sa më parë për të kaluar më pas në Presidencë për shqyrtime të mëtejshme. Ndërsa kishte nisur, shkresa e dy ditëve më parë duket se do t’i ftohë zemrat e të dënuarve kur të mësojnë se falja edhe këtë vit është vënë në pikëpyetje. Presidenti Bamir Topi edhe vitin e kaluar nuk e ushtroi kompetencën e tij për festat e fundvitit. Ai përzgjodhi festën e gruas për të falur vetëm një pjesë prej tyre, duke përjashtuar kështu të dënuarit meshkuj që kishin bërë kërkesë.
Kur fal Presidenti
Së pari, presidenti mbështetet në zbatimin e qëllimeve të dënimit penal. Pra, dënimi penal ka dy qëllime: e para, represioni i shoqërisë për autorin që ka kryer veprën penale, pra shlyerja e fajit nga i dënuari; dhe e dyta, mundësia e rehabilitimit të të dënuarit për t’iu rikthyer shoqërisë në jetën normale. Në vlerësimin e kërkesave apo propozimeve për falje, presidenti gjykon nëse i dënuari e ka shlyer fajin për të cilin shoqëria e ka dënuar, si dhe nëse i dënuari e ka arritur rehabilitimin e tij dhe është në gjendje të rikthehet në shoqëri me vlerat që ajo kërkon. Ky vlerësim bëhet në bazë të dokumenteve dhe informacioneve që vijnë edhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, të cilat së bashku me dokumentet që kërkon ligji, sjellin dhe një dinamikë të vuajtjes së dënimit, pra se sa është dënimi dhe sa mbetet për t’u vuajtur, si dhe një karakteristikë për sjelljen e të dënuarit në institucionin e riedukimit. Kjo karakteristikë sqaron nëse i dënuari ka sjellje korrekte në burg, nëse ndaj tij është marrë ndonjë masë disiplinore, kontaktet dhe lidhjet e tij me familjet, angazhimi në punët e përgjithshme në burg, pra elemente që tregojnë nëse i dënuari e ka ndjerë fajin që ka kryer dhe është drejt rehabilitimit të tij social. Në vlerësimin e kërkesave për falje presidenti merr gjithashtu në konsideratë gjendjen shëndetësore të të dënuarit, gjendjen familjare të të dënuarit etj. Presidenti nuk ka kufizime në kohë për ushtrimin e të drejtës së faljes, pra kur presidenti gjykon se mund ta ushtrojë këtë të drejtë, ai mund ta bëjë këtë. Duhet theksuar se faljet nuk janë fushata masive, por për shkak të një tradite. Kjo e drejtë është ushtruar nga presidenti 2 herë në vit dhe gjatë presidencës “Moisiu” janë falur 145 të dënuar. Faljet kanë përfshirë si faljen e tërë dënimit të mbetur, ashtu edhe një pjesë të dënimit, dhe kjo bëhet me qëllimin për t’u treguar të dënuarve dhe të interesuarve të tjerë se autoritetet nuk i kanë harruar, por e kanë rehabilitimin e të dënuarve në vëzhgim dhe e vlerësojnë atëherë kur duhet.
14 Dhjetor 2008