E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kredia e “Rrëshen-Kalimashit”, shqiptarët me “lak në fyt” për 35 vjet



Habjon Hasani

Tiranë - Është ndoshta kontrata më e paprecedentë që shteti shqiptar mund të ketë lidhur ndonjëherë në kurriz të vetes së vet. Kontrata e huas me bankën private në Londër prej 230 milionë eurosh për ndërtimin e aksit rrugor “Rrëshen-Kalimash”. Gjatë analizës që ekspertët i kanë bërë kësaj kontrate për llogari të prokurorëve ka rezultuar se kjo kontratë do të shtrijë efektet e saj të rënda për 35 vitet e ardhshme, ndërsa pas 10 viteve të para pozicioni i shtetit në raport me kredidhënësin mund të përkeqësohet pasi në termat e marrëveshjes ekziston një mundësi e tillë. Janë marrë borxh 230 milionë euro, por në fund të afatit të kontratës shteti shqiptar duhet të dorëzojë 350 milionë euro. Një raport shumë i rëndë për shtetin tonë, i cili pas 10 viteve mund të rinegociojë përqindjen e interesit, ndërsa termat e kontratës mund të bëjnë që pas 20 vitesh Shqipëria të kthejë jo pak, por 450 milionë euro ndaj huadhënësit.
Kontrata
Ndërprerja e hetimeve (e urdhëruar me vendim gjykate) për çështjen “Rrëshen-Kalimash”, paralizoi dhe punën hetimore të Prokurorisë lidhur me etapat e sigurimit të kredisë për rrugën. Prokurorët kishin dyshimet e tyre se mënyra se si ishte siguruar kredia ishte klienteliste, ndërsa u dyshua dhe konflikti i interesit dhe favorizimi i huadhënësit londinez nga ana e ministrit Basha. Por tashmë askush nuk mund t’i vërtetojë këtë dyshime, pasi procesi hetimor u mbyll në mënyrë përfundimtare. Madje ekspertët e pyetur nga Prokuroria për këtë kontratë janë shprehur se termat e kontratës në raport me punën në terren lënë një vend të madh për abuzime, pasi firma që po ndërton segmentin po punon me metodën “ndërto dhe projekto”, ndërsa në këto kushte askush nuk mund të garantojë “se ku do të shkojnë paratë e siguruara nga huadhënia”. Pra jo vetëm që kontrata e huamarrjes është një barrë shumë e rëndë për taksapaguesit, por madje dhe përdorimi i huas përbën një “tunel të errët” përsa i takon mënyrës se si dhe se ku do të përdoren këto para.
Dyshimet
Denoncuesi i abuzimeve me segmentin “Rrëshen-Kalimash”, Arben Meçe, ka deklaruar së fundi se “në negociatat paraprake në vitin 2006, mes qeverisë dhe firmës “Bechtel”, u mendua se gjithë kostoja e segmentit do të shkonte rreth 232 milionë euro”. Pra vetëm dy milionë euro më tepër se kredia e siguruar nga qeveria në bankën private me seli në Londër. Sot ndërtimi i kësaj rruge ka shkuar 1 miliard e 20 milionë euro, ndërsa ende nuk është bërë publik projekti dhe ende nuk dihet se sa mund të arrijë përfundimisht vlera. Kredia tregtare është marrë nga “Alpha Bank, a.e, National Bank of Greece, s.a.” si rregullues dhe “Alpha Bank, a.e”, dega Londër, si agjent për shumën 230 milionë euro për financimin e projektit të rrugës “Rrëshen–Kalimash”. Marrëveshja e kredisë është miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë në prill 2008. Interesat që do të paguhen për këtë kredi janë 139 916 400 euro, plus tarifa dhe shpenzime të tjera në shumën 3 270 000 euro.

14 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›