E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI-ja, apel PD-së dhe PS-së: Shansi i fundit për korrigjimin e Kodit



Shaban Sulçe

Lëvizja Socialiste për Integrim e konsideron kthimin e Kodit në komisionin e posaçëm parlamentar si shansin e fundit për korrigjimin e këtij Kodi të kontestuar. Zëvendëskryetari i LSI-së, Pëllumb Xhufi, u bëri thirrje partive politike, kryesisht PD-së dhe PS-së, që të korrigjojnë Kodin e ri Zgjedhor në përputhje me rekomandimet e OSBE-ODIHR-it si dhe me shqetësimet e shprehura nga faktori ndërkombëtar. “Lëvizja Socialiste për Integrim gjykon se ky është çasti i fundit për të bërë rregullimet e fundit të Kodit, në përputhje me frymën dhe standardet europiane. Por, edhe për të përmbushur rekomandimet specifike të OSBE-ODIHR-it dhe së fundmi dhe ato të Komisionit Europian, të cilat janë bërë nëpërmjet zëdhënëses së komisionerit Oli Rehn, zonjës Kristina Nagi, dhe që kërkon përfshirje në dialog të të gjitha partive të tjera”, - tha Xhufi.

Kodi
Duke folur rreth Kodit të miratuar në Kuvend në fund të muajit nëntor, zëvendëskryetari i LSI-së, Pëllumb Xhufi, e cilësoi atë si një precedent elektoral, i bazuar në filofozinë e përjashtimit.
“Tashmë është e qartë për të gjithë se Partia Demokratike dhe Partia Socialiste, me ligjin kushtetues për sistemin e ri zgjedhor dhe së fundmi me Kodin e ri Zgjedhor, kanë në duar një precedent elektoral të bazuar në filozofinë e përjashtimit, të mbylljes së sistemit dhe të ngushtimit të hapësirave demokratike. Gjithkush duhet ta kuptojë sot, më shumë se kurrë, se nuk ka njeri, nuk ka institucion, nuk ka as Zot në qiell apo në tokë që të mund të mbrojë sot një filozofi të tillë dhe nuk mund ta mbrojë këtë as përsa i përket Shqipërisë”, - tha Xhufi. Ai shprehu vendosmërinë e LSI-së për të qenë garante e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme si dhe për të qenë e gatshme për të kontribuar në përmirësimin e këtij Kodi.

Apeli
Xhufi kërkoi nga kryeministri Berisha angazhim serioz në realizimin e Kodit të ri Zgjedhor, duke i kujtuar atij përgjegjësinë e drejtpërdrejtë në rast të cenimit dhe manipulimit të zgjedhjeve të ardhshme. “Ne dëshirojmë t’i kujtojmë mazhorancës dhe posaçërisht zotit Sali Berisha përgjegjësinë e rëndë që qeveria e tij mban për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të vitit 2009. Tanimë ka kaluar faza e lojërave të vogla politike me të tjerët dhe ka ardhur koha kur mazhoranca, Partia Demokratike dhe qeveria t’i kthehen vetvetes dhe përgjegjësive të veçanta dhe të patjetërsueshme që qeveria ka për zgjedhjet në fjalë”, - vijoi Xhufi. Në emër të LSI-së, Xhufi i kujtoi gjithashtu Partisë Socialiste dhe kryetarit të saj, Edi Rama, përgjegjësinë specifike që mund të bjerë mbi PS-në në rast të shkatërrimit të zgjedhjeve, duke qenë se ajo ka dashur të evidentohet si protagoniste e realizimit të reformës zgjedhore. “Ne gjykojmë që ky është çasti i fundit për të hequr dorë nga egoizmat dhe nga këshilltarët egoistë dhe mbi të gjitha ne gjykojmë se është krejtësisht i papërligjur nxitimi për të kaluar një Kod që nesër mund të rezultojë vetëvrasës për vetë Partinë Socialiste dhe të majtën në përgjithësi”, - tha Xhufi. Ai i kujtoi Ramës ftesën e bërë për takim për Kodin nga kreu i LSI-së Ilir Meta. “Edi Rama dihet se ka tashmë në tryezën e tij një ftesë të radhës për dialog nga ana e kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta dhe ne besojmë se nuk ka absolutisht asnjë arsye për të refuzuar një ftesë të tillë për dialog, ku mund të diskutohen të gjitha çështjet, të gjitha problemet, që zoti Rama në përfaqësi të Partisë Socialiste do të dëshirojë të diskutojë, por sigurisht duke filluar nga diskutimi, nga debati, për çështjen e çështjeve, për çështjen më therëse dhe të ditës, që është ajo e finalizimit të Kodit Zgjedhor”, - përfundoi Xhufi.

14 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›