Disa komuna në Shkodër të bllokuara. Lezha pa drita
Shkodër-Ndërprerja e reshjeve të dëborës ka bërë që mjetet dhe punëtorët e angazhuar për zhbllokimin e akseve rrugore të vazhdojnë punën pandërprerë. Janë të bllokuara rrugët rurale Tamarë-Vermosh në Malësinë e Madhe, aksi Bogë-Theth dhe Prekal- Mal i Shoshit në Shkodër, akset Pukë- Qelëz dhe Kryezi- Iballë në Pukë. Ndersa gjithë akset rrugore nacionale të qarkut të Shkodres janë të kalueshme. Por në Pukë lejohet vetëm kalimi i mjeteve të tonazhit të lehtë nëpër qafat e maleve dhe duke përdorur zinxhirë.
Komunat Iballë dhe Qelëz në Pukë vazhdojnë të jenë të bllokuara nga dëbora e ngrirë. Në komunën e Kelmendit, sipas kryetarit të komunës, Ndue Lelçaj, tre fshatra vazhdojnë të jenë të izoluar nga pjesa tjetër e komunës dhe ka mungesë skoriesh dhe të një mjeti borëpastrues i cili kërkohet prej kohësh nga kjo zone e cila çdo dimër përballet me bllokim rrugësh.
Shërbimi mjekësor funksionin në spitalin e Tamarës, qendra e komunës Kelmend, por kjo zonë ka vetëm një mjek i cili e ka të vështirë të përballojë situatat që mund të krijohen në fshatrat e izoluara nga bora.
Stuhitë e dëborës kanë shkaktuar dhe rrëzimin e 7 shtyllave të tensionit të lartë dhe kjo ka sjellë kufizime të furnizimit me energji elektrike në disa zona. Sipas përgjegjësit të operatorit të sistemit të transmetimit për Shkodrën, Shkëlzen Mani, rrëzimi i shtyllave ka sjellë probleme për linjën nr 108 dhe ka bërë që furnizimi me energji elektrike të jetë i pjesshëm për nënstacionin e Bushatit dhe qytetin e Lezhës. Po punohet për ruajtjen e pjesës tjetër të rrjetit dhe sjelljen e shtyllave të reja që do zëvendësojnë ato të dëmtuarat, ndërsa Lezha është duke u furnizuar me energji elektrike nga linja nr 107 e Laçit , por me ndërprerje pasi kjo linjë, teknikisht nuk e përballon mbingarkesën e krijuar. Ne erresirë jane edhe 10 fshatra te Lezhë që nga dita e djeshme. Defekti pritet te riparohet neser.