Agjencitë e udhëtimit spekulojnë me çmimin e biletave
Vlorë-Dita e sotme ka shënuar dhe fluksin më të lartë të emigrantëve që largohen drejt Italisë nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të portit të Vlorës. Vetëm gjatë ditës së sotme me dy tragetet e linjës Vlorë-Brindizi kanë udhëtuar 2500 pasagjerë dhe rreth 600 automjete.
Në ditë të tilla kur ka fluks, nga emigrantët ngrihet shqetësimi i lojës që bëhet me çmimet e biletave. Sipas tyre agjencitë operojnë me vlera më të larta, ku për këtë vit diferenca luan në kufijtë e 10 eurove më shumë se çmimi i zakonshëm i një bilete.
Një problem tjetër që ndeshet në sezonet e udhëtimit është edhe kalimi klandestin në Itali. Drejtori i policisë së kufirit dhe emigracionit për qarkun e Vlorës, Myzafer Elezi, u shpreh se “pavarësisht fluksit çdo gjë është nën kontroll duke mundësuar funksionim normal në transportin detar”. “Kontrollet e dokumentacioneve të pasagjerëve si dhe të automjeteve kryhen me vëmendje, me qëllim evitimin e kalimit me dokumente të falsifikuar të pasagjerëve”, shtoi ai.