E Diel, 1 Nëntor 2026

Pogradec, goditet me dru në kokë drejtori i gjimnazit

 
Drejtori Pavli Prifti përfundoi në reanimacion me hemorragji, pasi u dhunua brenda ambienteve të shkollës
Policia: Dyshimet për një 16-vjeçar, të përjashtuar vetëm pak ditë më parë. Mësuesit: Jemi në rrezik
Pogradec- Drejtori i shkollës së mesme "Muharrem Çollaku" në Pogradec është dhunuar dje brenda ambienteve të shkollës nga një person ende i paidentifikuar. Pavli Prifti, me detyrën drejtor i gjimnazit është njoftuar se dikush e kërkonte dhe ka dalë nga zyra. Por sapo ka zbritur shkallët e katit të dytë ka marrë një goditje të fortë në kokë dhe ka humbur ndjenjat, duke rënë përtokë i përgjakur. Dyshimet e para janë për një nxënës të shkollës, i përjashtuar nga drejtori vetëm pak ditë më parë, por sipas burimeve zyrtare të policisë, ende nuk ka konfirmim për autorësinë.
Ngjarja
Mesditën e djeshme, drejtori Prifti ka qenë në zyrën e tij, në shkollë, kur është njoftuar se dikush e kërkonte. Sipas burimeve brenda shkollës, dy ish- nxënës të këtij gjimnazi, kanë hyrë brenda dhe kanë kërkuar drejtorin. "Drejtori sapo është njoftuar ka zbritur nga kati i dytë, ku ai ka zyrën dhe sapo ka dalë tek shkallët e katit të parë ai i ka thënë rojës se kush e kërkonte"- bëjnë me dije burimet brenda gjimnazit, që janë në dijeni për ngjarjen. Në këtë moment, atij i ka dalë përpara një djalë, i cili sipas dëshmisë së dhënë nga drejtori ka pasur diçka të mbështjellë me gazetë.
Sapo Prifti ka nisur të zbresë shkallët është goditur në mënyrë të papritur në kokë me një shkop bejsbolli. Goditja ka qenë shumë e shpejtë dhe mjaft e fortë, aq sa e ka lënë drejtorin pa ndjenja. Pasi ata që ndodheshin në shkollë i janë afruar për t'i dhënë ndihmën e parë, mësohet se ai ka humbur menjëherë ndjenjat dhe në dysheme ka pasur shenja gjaku, pasi sipas burimeve zyrtare goditja është shoqëruar me shumë hemorragji.
Spitali
Në gjendje kritike për jetën, ai është dërguar me urgjencë në spitalin e qytetit. Sipas burimeve spitalore bëhet e ditur se goditja e marrë ka qenë e fortë dhe në pjesën e përparme të kokës, në anën e djathtë të saj. "Drejtori Pavli Prifti ka pësuar një dëmtim të rëndë, shoqëruar me hemorragji të madhe gjaku"- thonë mjekët. Sipas tyre, sapo ka humbur ndjenjat ai është sjellë në spital dhe është shtruar me urgjencë për të marrë ndihmën e specializuar. "Kur ka mbërritur është dërguar në sallën e reanimacionit"- thonë burimet spitalore, duke shtuar se aty ka qëndruar pak orë, deri sa mjekët janë siguruar se gjendja e tij po vinte në përmirësim. Pas kësaj, familjarët janë siguruar se pacienti është jashtë rrezikut për jetën.
Policia
Në vendin e ngjarjes, e lajmëruar nga mësuesit ka mbërritur policia. Sipas burimeve policore, dyshohet se autor i ngjarjes është një 16-vjeçar, me inicialet D.H. dyshimet për adoleshentin janë bazuar në faktin se vetëm pak ditë më parë ai ishte përjashtuar nga shkolla me urdhër të drejtorit, Pavli Prifti dhe për pasojë, policia ka bërë lidhjen e ndonjë hakmarrjeje të mundshme. Megjithatë, mësohet se nuk ka asnjë autor të konfirmuar në mënyrë zyrtare. "Jemi duke bërë hetimet rreth ngjarjes për të zbardhur shkakun e dhunimit të drejtorit dhe autorin e ngjarjes"- thonë burimet zyrtare të policisë së Pogradecit. Ndërkaq, vetë drejtori në dëshminë e tij për policinë nuk ka dhënë ndonjë përshkrim të autorit, pasi mësohet se goditja i ka ardhur në mënyrë të papritur.
Takimi
Mësuesit: Jeta jonë është në rrezik
Fill pas ngjarjes, që shqetësoi kolektivin e mësuesve të shkollës, por edhe nxënësit
një përfaqësi e tyre kanë nisur protestën para komisariatit të policisë. Ata kanë sqaruar se me këtë kërkonin mbështetje dhe mbrojtjen e forcave të rendit ndërkohë që ishin në krye të detyrës. Por ndërsa ishin mbledhur para komisariatit, janë pritur në një takim nga drejtuesit e policisë. Në takim përfaqësuesit e policisë kanë dëgjuar vërejtjet dhe kërkesat e mësuesve dhe nxënësve. "Duam ndihmën e policisë, pasi jeta jonë është në rrezik"- kanë thënë mësuesit. Shefi i rendit, Kujtim Isaj, i cili ka ndjekur ngjarjen ka bërë me dije për gazetën se pas takimit është gjetur fryma e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit për shmangien e ngjarjeve të tilla. "Do të zhvillohen takime në dy gjimnazet e qytetit me nxënësit dhe mësuesit me pjesëmarrjen e drejtuesve të policisë për të rritur bashkëpunimin dhe për të eleminuar këto ngjarje të rënda"- tha Isaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›