Disidenti kinez: Kina më kërcënon familjen

Disidenti i verbër kinez, Çen Guançeng, ka thënë se ka braktisur ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Pekin, pasi autoritetet kineze kanë kërcënuar me vdekje familjen e tij.
Çen, i cili ka kërkuar strehim në ambasadë, i ka thënë AP-së përmes telefonit se zyrtarët kanë kërcënuar gruan e tij se do ta rrahin deri në vdekje.
Kritiku i politikës kineze tha se zyrtarët amerikanë ia kanë transmetuar kërcënimet e Pekinit.
Një zyrtar i SHBA-së ka mohuar të jetë në dijeni për kërcënimet.
Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, e cila ndodhet në Pekin për bisedime të nivelit të lartë, ka thënë se Uashingtoni do të mbetet i përkushtuar ndaj Çenit “në ditët, javët dhe vitet në vazhdim”.
Ministria e Jashtme kineze, ndërkohë, u ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara “të ndalojnë të bëjnë konfuz publikun në lidhje me rastin”.
Çen ka ikur nga arresti shtëpiak më 22 prill për t`u strehuar në ambasadën amerikane në Pekin.
Më herët është thënë se ai ka ikur nga ambasada, pasi ka marrë garanci se ai dhe familja e tij do të zhvendosen në një vend të sigurt brenda Kinës.