E Shtunë, 31 Tetor 2026

Disiplina gjobit Tiranën pas dhunës në stadium

TIRANE- Tirana është dënuar me 4 ndeshje pa tifozë pas ngjarjeve të derbin me Dinamon ditën e hënë. Vendimi është marrë nga Komisioni i Disiplinës në Federatë, që mbështetur në Kodin e Drejtësisë Sportive ka ndëshkuar klubin bardheblu për ngjarjet e dhunshme në derbi. Tirana është gjobitur gjithashtu me 300 mijë lekë gjobë për mosmarrje masash organizative, gjë që u pa nga hyrja e tifozëve në fushën e lojës. Ndërkohë, trajneri i Tiranës Alban Tafaj për goditje me grusht të futbollistit kundërshtar është pezulluar për një vit nga aktiviteti. Ai goditi Elis Bakajn në momentin e daljes me karton të kuq, gjë që u pa qartë nga pamjet filmike. Ndërkohë, kapiteni i Tiranës Devi Muka është pezulluar për 8 ndeshje dhe gjobitur me 100 mijë lekë gjobë për goditje të lojtarit kundërshtar. Dënimit nuk i ka shpëtuar as mesfushori i Dinamos Bekim Kuli, që është pezulluar për 2 ndeshje dhe gjobitur me 30 mijë lekë për shkak të reagimit të dhunshëm ndaj Devi Mukës. Një tjetër masë e Komisionit të Disiplinës ishte dënimi me 50 mijë lekë gjobë e presidentit të Tiranës Refik Halili për deklarata fyese të bëra ndaj institucionit të Federatës. Menjëherë pas vendimeve të Federatës ka ardhur edhe reagimi i klubit Tirana, që ka bërë të ditur se të do të mbledhë urgjentisht Asamblenë e Jashtëzakonshme, e cila do të dalë me një qëndrim për situatën. Presidenti Refik Halili tha në linjë telefonike për “Neës 24” se Asambleja, por edhe klubi e tifozët, do të mundohen të largojnë drejtuesit e Federatës aktuale, duke ndjekur deri rrugën e protestave. Ndërkohë, përsa i përket ndeshjes mes Flamurtarit dhe Besës, klubi vlonjat ndërkohë është dënuar të luajë dy ndeshje pa tifozë dhe 100 mijë lekë gjobë, ndërsa shefi i këtij klubi Geri çipi për futje në fushë dhe presion ndaj arbitrave është pezulluar për 6 muaj dhe gjobitur me 50 mijë lekë. Në lidhje me kërkesën e Besës për 3 pikë në tavolinë ose riluajtje të takimit, Disiplina ka vendosur që të mblidhet një ditë tjetër.(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›