E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhuna në stadium, Tirana rrezikon përjashtimin

TIRANE- Komiteti Ekzekutiv i Federatës i ka kërkuar Komisionit të Disiplinës dhe atij të Apelit që të zbatojnë në mënyrë rigoroze rregulloren në rastet e dhunës së shfaqur në ndeshjet Flamurtari-Besa dhe Tirana-Dinamo. Pas një mbledhje të jashtëzakonshme që zgjati mbi 3 orë, ky organ u kërkoi komisioneve juridike që të jenë të rrepta në vendimet e tyre konform rregullores në fuqi të futbollit. Duke parë qëndrimin e Federatës, klubi Tirana rrezikon seriozisht edhe përjashtimin nga aktiviteti dhe zbritjen një kategori më poshtë për shkak të dhunës së shpërthyer në fund të derbit me Dinamon. Neni 24, pika D i Kodit të Drejtësisë Sportive, pjesa që flet për klubet Shoqëritë dhe Shoqatat, përcakton se në rastet kur para, gjatë dhe pas ndeshjes ndodhin trazira dhe rrihen, goditen apo dhunohen fizikisht lojtarë, arbitra apo zyrtarë të Federatës, klubi, shoqata apo shoqëria që organizon ndeshjen, dënohen me përjashtim nga aktivitetet futbollistike dhe uljen një kategori më poshtë. Një vendim ky që rrezikon të aplikohet edhe në rastin e Tiranës, klubit më të madh të vendit dhe aktualisht skuadra kampione në fuqi. Presidenti i Federatës Duka si edhe Komiteti, kanë kërkuar që masat të jenë sa më të ashpra, pasi ngjarjet që ndodhën ishin një shëmti e futbollit. Ndërkohë tre pikat e tjera të nenit 24 përcaktojnë se mund të jepen edhe dënime nga 100 mijë deri në 300 mijë lekë gjobë si edhe zhvillimi i ndeshjeve nga 1 deri në 6 ndeshje pa tifozë ose në fushë asnjanëse. Përsa i përket trajnerit Tafaj, në neni 25 pika 6, përcakton se kur një trajner godet me grusht një lojtar kundërshtar, dënohet me përjashtim një vit nga aktiviteti. Ndërsa për kapitenin e Tiranës Devi Muka, që goditi lojtarin kundërshtar, rregullorja përcakton një dënim nga 5 deri në 10 ndeshje pezullim si edhe 100 mijë lekë gjobë. Mbledhja e Komisionit të Disiplinës për këto ngjarje pritet të mbahet të mërkurën pasdite. Në vendimet e tjera të marra nga Komiteti Ekzekutiv i Federatës ditën e martë ishte ai i shkrirjes së Komisionit të Apelit, që kohët e fundit pati dhënë një seri vendimesh arbitrare. (m.a/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›