E Diel, 1 Nëntor 2026

Disiplina, "shuplakë" Gramozit dhe Bylisit

Kohët e fundit FSHF është munduar të japë maksimumin për të shmangur fenomenet e dhunës, të cilat më të shpeshta kanë qenë në Kategorinë Parë, por java e 13-të i riktheu sërish këto incidente në Superiore. Laçi mundi të marrë një fitore 2-1 në fushën e Gramozit, por tifozët vendas nuk e përtypën lehtë këtë fakt. Menjëherë pas golit të pësuar, pas minutës së 77-të, futbollistët miq e panë veten nën rrebeshin e gurëve që vërshonin nga çdo anë e tribunës së stadiumit të Ersekës. Ndërkohë që sipas denoncimeve të laçianëve, situata ka precipituar edhe në dhomat e zhveshjes dhe për largimin e ekipit mik nga stadiumi janë dashur forca të shumta policie dhe kamuflimi me autobusin e skuadrës së Gramozit. Të gjitha këto kanë qenë çështje dje në Komisionin e Disiplinës në FSHF, ku pas shqyrtimit të provave, për hedhje të sendeve të forta dhe mosmarrjen e masave të mjaftueshme të sigurisë është vendosur pezullimi për tri ndeshje të fushës pa tifozë të Gramozit dhe klubi është ndëshkuar me një gjobë 300 mijë lekë të reja. E njëjta arsye ka vlejtur edhe për ndëshkimin e fushës së Bylisit të Kategorisë së Parë, që pezullohet me dy ndeshje pa tifozë dhe 200 mijë lekë gjobë. Tri ndeshje pezullim dhe një gjobë 20 mijë lekë të reja kanë shkuar për lojtarin e Flamurtarit, Halim Beja, i cili ka shtyrë asistentin në ndeshjen e fundit të ekipit të tij.

A. Manallari

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›