Kupa, Bylisi ëndërron çerekfinalet
Dita e sotme shënon edhe fundin e turit të 1/8 të Kupës së Shqipërisë, e cila do të duhet të njohë edhe të kualifikuarit, të cilët do të vazhdojnë më tej në kompeticionin e dytë për nga prestigji në kampionatin shqiptar të futbollit. Tirana është para një testi jo të lehtë me Lushnjën në ndeshjen e kthimit të turit të dytë të Kupës së Shqipërisë. Ndeshja e parë në "Roza Haxhiu" përfundoi në barazim 2-2. Lajmi i fundit nga kampi i Tiranës është pezullimi i sulmuesit Migen Memelli nga trajneri Alban Tafaj, autori i një goli në ndeshjen e zhvilluar në Lushnjë, ndërkohë që shënuesi tjetër bardheblu ishte Arbër Abilaliaj. Për lushnjarët shënuan Alban Bizhyti dhe Gentian Çela. Në fakt, Tiranës i mjaftojnë edhe barazimet 0-0 apo 1-1 për t‘u kualifikuar për herë të 10-të në përballjet direkte me Lushnjën, apo çdo lloj fitoreje pavarësisht nga rezultati. Lushnjës i duhet të fitojë ose të barazojë minimalisht 2-2, për ta çuar ndeshjen në gjuajtjen e penalltive. Ndërkohë që jo më pak të lehtë do ta ketë edhe Dinamo, e cila do të luajë për Bylis. Blutë e kanë humbur 1-0 ndeshjen e parë në Ballsh. Kjo sfidë merr edhe një domethënie më të madhe, kur kujtojmë faktin se përballë do të jenë dy ekipet që do minojnë dy kategoritë kryesore të futbollit tonë, Dinamo e cila dominon bindshëm Superioren, ndërsa Bylis, një nga ekipet më favorite për të fituar titullin në Kategorinë e Parë. Për Dinamon, e cila do të synojë të luftojë në dy fronte, kjo është një ndeshje ku alternativa e vetme është fitorja. Por ballshiotët, edhe falë rezultatit në ndeshjen e parë, vijnë në këtë ndeshje më ambiciozë se kurrë. Objektivi i tyre është një rezultat pozitiv në këtë ndeshje, qoftë edhe barazimi, i cili do t‘u jepte mundësinë të kalonin direkt në turin çerekfinal. Informacione nga kampi i Bylisit bëjnë të ditur se drejtuesit e lartë të klubit e kanë marrë seriozisht këtë sfidë dhe ekipi është izoluar totalisht në ditët para të takimit të sotëm. Lojtarët janë privuar nga telefonat dhe kontaktet me persona jashtë klubit, të cilët mund të përbëjnë rrezik për komprometimin e mundshëm të kësaj ndeshjeje. Partizani do të udhëtojë sot drejt Durrësit në duelin me Teutën. Të kuqtë, pas barazimit 1-1 që morën në fushën e tyre, tashmë synojnë një fitore në "Niko Dovana", apo qoftë edhe një barazim me dy gola ose më shumë. Vllaznia luan në "Loro Boriçi" përballë Kamzës, e cila nuk ka shanse për më tej, pasi kuqeblutë kanë fituar takimin e parë me rezultatin 3-1.
A. Manallari
A. Manallari