Eurot false mbledhin ekspertët e Ballkanit
Policia shqiptare infiltron agjentët e saj për t‘u përfshirë në grupet kriminale që hedhin në treg kartëmonedhat false, si dhe për të bërë blerje të stimuluara me qëllim goditjen e këtyre grupeve. Falsifikimi i kartëmonedhave dhe kryesisht euros, ka mbledhur në Shqipëri ekspertë nga vendet e Ballkanit Perëndimor për të diskutuar mbi situatën dhe mënyrat për të luftuar këtë lloj të krimit të organizuar. Në vendin tonë, deklarohet zyrtarisht se nuk prodhohen kartëmonedha false, por ato hidhen në qarkullim pasi futen nga vendet fqinje, veçanërisht në periudhat kur në vend ka lëvizje emigrantësh. Zv.drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit për hetimin e krimit, Agron Kuliçaj, tha se që nga shfaqja e parë e monedhës euro të falsifikuar në vitin 2002 dhe deri më sot janë kapur e sekuestruar 895 kartëmonedha në vlerën e mbi 45 mijë eurove, ndërkohë që sasia e dollarëve fals të kapur në treg është më e madhe. "Rastet e para të falsifikimit të monedhave kanë qenë sporadike, por gradualisht personat e implikuar në këtë veprimtari janë organizuar në grupe dhe kanë bërë të mundur gjetjen e sasive më të mëdha dhe vënien e tyre në qarkullim. Ende nuk kemi raste të prodhimit në vendin tonë të monedhave të falsifikuara, të cilat kryesisht vijnë nga vendet fqinje dhe vihet re një tendencë e rritjes së fluksit të përdorimit të tyre në stinën e verës dhe për Krishtlindje, gjë që shpjegon futjen e tyre nga emigrantët dhe nga grupet kriminale që shfrytëzojnë këto situata", tha Kuliçaj.
Va.Qy.
Va.Qy.