Nisin xhirimet "Në kërkim të kujt!"
Realiteti shqiptar pas viteve ‘90. Është ky subjekti i filmit artistik me dhjetë seri që po prodhohet nga "Top Channel". Me skenar të Dhimitër e Gjergj Xhuvanit, me regji të këtij të fundit filmi me titull "Në kërkim të kujt!" trajton historinë e një familjeje në Tiranë në vitet e para të pluralizmit. Ashtu sikurse mijëra familje shqiptare, ajo bëhet viktimë e një plage të shoqërisë vendase, fajdet. Kjo dramë shkakton problematika që e shtyjnë drejt krimit duke i çuar kështu personazhet të përballen me drejtësinë, duke i dhënë filmit ngjyrat e një drame policore. Kasti i aktorëve përbëhet prej rreth 80 vetave, duke nisur nga Niko Kanxheri, Kastriot Çaushi, Luiza Xhuvani, Ndriçim Xhepa, Monika Lubonja, Helidon Fino, Margarita Xhepa deri tek aktorët më të rinj të kinematografisë vendase. Aktori Çaushi interpreton rolin e hetuesit të policisë gjyqësore Almir Bali, që do të kërkojë të zbardhë enigmën e krimit rreth së cilës do të zhvillohet ngjarja e filmit. "Almir është drejtuesi i gjithë grupit të hetimit që merr zhvillim ngjarja dhe që pastaj shtrihet në shumë personazhe dhe në shumë karaktere. Dua të them që është një personazh, që nga gama e personazheve që kam interpretuar është më i veçantë dhe i ndryshëm. Mendoj se është një përgjegjësi mjaft e madhe në këtë investim të madh. Ndihem shumë mirë për këtë përgjegjësi të madhe që kam si aktor, por ndihem edhe në dilemat e krijimtarisë dhe këto tre katër muaj xhirime me siguri që janë pjesa më e bukur e jetës sime", thotë Kastriot Çaushi. Ndërkaq, Ndriçim Xhepa luan rolin e një biznesmeni, të cilit i duhet të mbijetojë gjatë periudhës së tranzicionit. "Personazhi që kam në këtë film është një biznesmen, një njeri i krijuar nga situatat e sotme, nga rrethanat e mbara dhe të prapta të tranzicionit kaq të gjatë, i cili absolutisht sjell edhe pështjellimet, çuditë dhe kundërshtitë e veta. Pështjellon veten dhe një mori të tërë personazhesh brenda filmit", komenton aktori. Kastit të aktorëve i është bashkuar edhe aktori shqiptar nga Kosova Luan Jaha. "E ndiej veten të privilegjuar që marr pjesë në këtë film që udhëhiqet nga Gjergj Xhuvani, me të cilin kam pasur gjithnjë dëshirë të bashkëpunoj", thotë ai. "Në kërkim të kujt!" është duke u realizuar nga një staf profesional italian dhe shqiptar duke përdorur teknologjinë e lartë të "Top Channel". Ky film artistik me dhjetë seri, i pari në gjininë e tij në historinë televizive shqiptare, sapo ka nisur fazën e xhirimeve.