Salvator Bushati pranohet anëtar i Akademisë Europiane të Shkencave dhe Arteve
Akademik Salvator Bushati, sekretar shkencor i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, është pranuar anëtar i Akademisë Europiane të Shkencave dhe Arteve. Lajmi është bërë i ditur nëpërmjet një letre të dërguar prej presidentit të Akademisë Europiane të Shkencave dhe Arteve, prof. dr. Felix Hunger. Pranimi i tij në radhët e kësaj Akademie është një nder personal dhe, në të njëjtën kohë, është një fakt që dëshmon për vlerësimet që akademitë ndërkombëtare i bëjnë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në drejtim të thellimit të bashkëpunimit shkencor në funksion të përmirësimit të cilësisë së jetesës nëpërmjet shkencës. Akademia Europiane e Shkencave dhe Arteve është krijuar më 1985-n në Salzburg të Austrisë. Ajo numëron rreth 1400 anëtarë të saj, të cilët përfaqësojnë shkencëtarët dhe artistët më të shquar të Europës. Midis tyre 15 janë vlerësuar me çmimin "Nobel". Nëpërmjet simpoziumeve dhe botimeve të ndryshme, Akademia Europiane e Shkencave dhe Arteve ka si qëllim përqasjen e problemeve me të cilat përballet sot Europa dhe bota në tërësi.