Diskriminimi, "Mjaft" proteston para Fratinit
Lëvizja "Mjaft" reagoi dje kundër vendimeve të fundit diskriminuese të qeverisë italiane për të ndarë që në shkolla fëmijët italianë nga ata emigrantë, si edhe kundër nismave të tjera në Itali që të ngjajnë, në fakt, më shumë me reforma raciste. Gjatë kohës kur ministri i Jashtëm i Italisë, Franko Fratini po hynte me kortezhin e tij brenda Kryeministrisë në bulevardin historik për Tiranën, aktivistët e lëvizjes nxorën një banderolë, ku shkruhej në italisht "No al Razzismo" (Jo Racizmit). Gjatë kësaj kohe, një makinë fuoristradë e "Mjaft" shpërndante me altoparlantë tingujt e "Giovinezza", himnit të rinisë fashiste që u kompozua nga avokati dhe kompozitori Giuseppe Blanc në vitin 1909 e që u përdor nga regjimi fashist deri në Luftën e Dytë Botërore. Ishte kjo forma e zgjedhur nga aktivistët shqiptarë për të ironizuar dhe kundërshtuar vendime të tilla diskriminuese, që rëndojnë edhe mbi jetët e mbi 400 mijë shqiptarëve në Itali. Elisa Spiropali tha se, "ne mirëpresim takimet dypalëshe me fqinjët tanë italianë, por nuk mund të qëndrojmë të heshtur ndaj politikave të tilla diskriminuese të qeverisë Berluskoni, ku bën pjesë dhe zoti Fratini". Lëvizja konstaton se janë mbi 400 mijë shqiptarë emigrantë në Itali që këto politika i prekin direkt në jetën e tyre. "Zoti Basha dhe zoti Berisha e kanë për detyrë jo vetëm të takohen e pastaj të buzëqeshin përzemërsisht në këto takime, por së pari të lobojnë për kushtet e jetesës së qytetarëve shqiptarë në Itali", nënvizoi Spiropali. Sipas saj, nëse politikat italiane të kujtojnë reformat raciste, atëherë diplomacia shqiptare ka dyfish punë për të bërë, që të sigurojnë se politika të tilla nuk mund të kalojnë pa u kundërshtuar fuqishëm. Qeveria shqiptare nuk ka shprehur ndërkohë asnjë koment për këto nisma që do të bien në kurrizin e të gjithë emigrantëve shqiptarë në Itali, ndërkohë që vende të ndryshme, si për shembull Rumania, po lobojnë fuqishëm ndaj çdo nisme të tillë që diskriminon qytetarët e tyre.