E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi jep pëlqimin për kryegjykatësen Shpresa Beçaj

Kuvendi ka miratuar mbrëmë me 122 vota pro dhe asnjë kundër kandidaturën e zgjedhur nga Presidenti për kryetare të Gjykatës së Lartë, zonjën Shpresa Beçaj. Si mazhoranca, ashtu edhe opozita, nuk e kanë kundërshtuar emrin e përzgjedhur nga kreu i shtetit për postin më të lartë të gjyqësorit. Më 8 tetor, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka firmosur dekretin për emërimin e Beçajt në krye të Gjykatës së Lartë, i cili, në bazë të Kushtetutës, i ka kaluar për dhënie pëlqimi Kuvendit. Shpresa Beçaj është anëtare e Gjykatës së Lartë që nga viti 2004. Ndërkohë që kjo gjykatë, para pak muajve, është riformatuar, duke iu bërë pjesë e saj gjashtë emra të rinj. Ata u votuan në Kuvend me shumicë votash pas një "odiseje" të gjatë përplasjesh dhe refuzimesh politike, duke e ndërlikuar mjaft procedurën e zgjedhjes dhe duke e detyruar Presidentin Topi që pas rrëzimit të pesë emrave të parë, të mbledhë në Presidencë 105 emra të rinj për të zgjedhur mes tyre gjashtë më të mirët. Kreu i Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, ka lindur në Kukës, në vitin 1961, është e martuar dhe ka dy fëmijë. Ajo është diplomuar në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë, në vitin 1983. Me mbarimin e fakultetit është emëruar k/sekretare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Gramsh. Në vitin 1985, është emëruar Këshilltare Ligjore po në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Gramsh. Në vitin 1987, është emëruar si gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Gramsh, detyrë të cilën e ka ushtruar deri në 1990-ën. Po në këtë vit, është emëruar gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Në vitin 1994, është emëruar gjyqtare në Gjykatën e Apelit Tiranë. Në vitin 2004, është emëruar anëtare e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, detyrë të cilën e ka ushtruar deri në 2006-ën, ku ka dhënë dorëheqjen me daljen e ligjit "Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike". Po mbrëmë, Kuvendi ka miratuar edhe anëtarin më të ri të KKRT-së. Me 74 vota pro dhe 39 kundër, mazhoranca ka zgjedhur Altin Ndroqin, si anëtarin më të ri të KKRT-së, pas shkarkimit të përfaqësuesit të PDK-së në këtë këshill, Frano Kullin.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›