"Djegie-plastika", tre pacientë në gjendje të rëndë
Të mbijetuarit e tragjedisë së Gërdecit të cilët kanë pasur plagë të lehta tashmë janë larguar nga spitalet. Deri dje pasdite në dy spitalet e Tiranës ka pasur plot 45 persona të shtruar. Prej tyre 22 janë në pavijonin e djegie-plastikës dhe 22 të tjerë ndodhen në Qendrën Kombëtare të Traumës, në Spitalin Ushtarak.
Në reanimacionin e QSUT-së ndodhen 7 pacientë, ndërsa 3 prej tyre ndodhen në gjendje të rëndë. Por pavarësisht kësaj, ministri i Shëndetësisë ka konfirmuar se ata nuk paraqesin rrezik për jetën.
Vetëm për një pacient po diskutohet mundësia e dërgimit në një nga spitalet e Zvicrës. Problem i madh mbetet trauma që po përjetojnë familjarët, të cilët sipas psikologëve të vendosur në dispozicion, gjendja e tyre psikologjike është për t‘u shqetësuar.
Njëra nga banoret e Gërdecit që po merr ndihmë këshillimore në Spitalin Ushtarak ndodhet në gjendje të vështirë psikologjike.
Të plagosurit
Sipas shefit të shërbimit, Gjergji Belba, gjendja e shtatë pacientëve, të cilët ndodhen në reanimacion paraqitet jashtë rrezikut për jetën, por ende me probleme nga djegiet. Nga 7 pacientët që janë në reanimacion, tre prej tyre kanë probleme më të rënda shëndetësore se të tjerët, pasi ka filluar t‘u ngrihet temperatura nga plagët. Pacientja Versile Gjata nga ky pavijon, e cila do të transportohej për në Itali dje, nuk është nisur, pasi nuk kishte vende në avion. Ndërkaq, në shërbimin e okulistikës janë larguar edhe tre pacientët e fundit, dy janë nisur drejt Italisë dy ditë më parë, ndërsa pacienti i tretë është larguar dje për në shtëpi. Ai do të marrë ndihmë të vazhdueshme në spital për mjekimin e plagës.
Vizita e ministrit
Ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, zhvilloi dje një tjetër takim me drejtuesit e qendrës spitalore universitare "Nënë Tereza" dhe Spitalin Ushtarak me synim rivlerësimin e situatës shëndetësore të rreth 45 të plagosurve të shtruar.
"Pacientët e shtruar po përballojnë një situatë të vështirë edhe nga ana psikologjike. Ata veç plagëve të marra kanë humbur edhe të afërmit e tyre. Për këtë arsye, një kujdes i veçantë po i kushtohet edhe shërbimit psikologjik", u shpreh ministri Ndoka, duke shtuar se mjekët po e kryejnë detyrën e tyre me të njëjtën përkujdesje, pavarësisht ngarkesës së punës gjatë ditëve të fundit. Ndoka, gjatë vizitës në QSUT, deklaroi se gjendja shëndetësore e pacientëve të shtruar është e mirë. "Ka pacientë që kanë probleme me djegiet, por nuk janë në rrezik për jetën", konfirmoi Ndoka, sipas të cilit deri tani nga të dhënat e mjekëve nuk mendohet të transportohet ndonjë pacient për kurim në vendet fqinje. Ato po marrin shërbimin e duhur mjekësor.
Lidhur me gjendjen shëndetësore të 16 të plagosurve të transportuarve për kurim në Itali, Ndoka, tha se "jemi informuar se dy prej pacientëve janë në gjendje të rëndë shëndetësore. Po mbajmë kontakte të vazhdueshme me autoritete italiane".
Djegie-plastika, okulistika fluksin më të madh
"Nënë Tereza" trajtoi 62 të plagosur
Ministria e Shëndetësisë bën me dije se në QSUT po trajtohen 22 persona (7 pacientë në reanimacion dhe 15 në pavijon) dhe në Spitalin Ushtarak 23 pacientë. Shërbimi i okulistikës në QSUT, i cili dy ditë më parë priti 19 të plagosur, aktualisht nuk ka më pacientë. I fundit është larguar mëngjesin e djeshëm.
QSUT, spitali më i madh në vend, në ditët e para të tragjedisë trajtoi rreth 62 të plagosur, të shtruar në spitalin e djegie-plastikës, në okulistikë dhe në urgjencën e spitalit nr. 2.
Deri dje në QSUT, në sektorin e Mjekësisë Ligjore janë paraqitur 15 trupa të pajetë. Trupi i fundit i ardhur dje në morg deri pasdite ka qenë i paidentifikuar. Në të njëjtën kohë 5 persona janë konsideruar të humbur. Sakaq, 16 persona janë transportuar për trajtim të specializuar në Itali dhe 6 pacientë të tjerë janë nën kujdesin e mjekëve grekë.