E Shtunë, 31 Tetor 2026

Malaj: Nuk mjafton fondi rezervë

Ish-ministri i Financave në qeverisjen socialiste, Arben Malaj, i kërkon qeverisë urgjentisht të identifikojë kostot financiare të kësaj tragjedie. Sipas tij, tragjedia e vdekjes nuk duhet të shtohet me varfërinë tragjike, që ka përfshirë këtë zonë. Ndërsa qeveria duhet urgjentisht të identifikojë kostot e kësaj tragjedie, të cilat përfshijnë kostot e familjeve që kanë viktima njerëzore, shtëpitë e shkatërruara, shtëpitë që kanë nevojë të rindërtohen. Ashtu sikurse dëmtimet e mëdha të biznesit dhe njëkohësisht edhe mungesën e institucioneve publike, siç janë ato arsimore dhe shëndetësore. "Reagimi duhet të jetë i shpejtë në mënyrë që të minimizojmë një varfëri ekstreme që mund të ketë kjo zonë", theksoi Malaj. Në vlerësimin e ish-ministrit, qeveria duhet të identifikojë të gjitha burimet financiare të domosdoshme, duke filluar me shkurtimin e një sërë shpenzimesh administrative, si dhe me rialokimin e investimeve dhe fondeve për politikat sociale. Sakaq, në këndvështrimin e Malajt, fondi rezervë i qeverisë nuk mjafton të jetë burim i vetëm i përballimit të kësaj tragjedie. Ai konstatoi se momenti i dytë ka të bëjë me kredibilitetin e qeverisë në menaxhimin e tragjedive të tilla. Ndërsa qeveria, për socialistët, duhet të paraqesë në një kohë sa më të afërt aktin normativ për të krijuar bazën ligjore të ndryshimeve të buxhetit. "Duke u dhënë familjarëve dhe biznesit, fondet e destinuara për të lehtësuar pasojat ekonomike të kësaj krize", insistoi Malaj. Kjo, nënvizoi ai, bëhet e domosdoshme edhe nga reagimi i banorëve të kësaj zone, të cilët nuk u besojnë premtimeve të qeverisë. "Njëkohësisht, kjo bëhet e domosdoshme duke parë kredibilitetin e cenuar të qeverisë që dhe në rastin e tragjedisë ushtarake në Dhëmblan të Tepelenës, ku banorët janë braktisur dhe nuk kanë parë asnjë ndihmë konkrete për dëmtime, që ata pësuan gjatë krizës në këtë zonë", u shpreh Malaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›