E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdec, ushtria pastron 10 ha tokë

Gjatë operacionit, deri më tani janë kontrolluar dhe pastruar sipërfaqje me 10 ha tokë, ndërsa janë plasur dhe sistemuar 100 predha. Të dhënat e fundit vijnë nga Komisioni Ndërministror i Emergjencës Civile, duke iu referuar informacioneve të Komandës së Forcës së Bashkuar të Ministrisë së Mbrojtjes. Gjatë ditës së djeshme ka vazhduar intensivisht plani i operacionit për likuidimin e pasojave të shkaktuara nga shpërthimi i municioneve në depot e Gërdecit. Për të bërë të mundur pastrimin e zonës dhe gjetjen e ndonjë trupi të pajetë, kanë marrë pjesë forca ushtarake nga Brigada e Reagimit të Shpejtë, Brigada e Mbrojtjes Rajonale, Regjimenti Komando, Regjimenti i Helikopterëve, Grupet Speciale të EOD dhe AME, Policia Ushtarake, Batalioni Xhenier-Ndërtues. Në numër kemi, forca të sigurisë 138 persona, forca të kërkim-shpëtimit 250 persona, forca mbështetëse 150 persona dhe forca të tjera 142 persona. Të gjitha këto forca janë mbështetur nga 54 mjete transporti, 10 ambulanca, 2 fadroma, 2 hapëse pistash me zinxhirë, si dhe 2 qendra komandim drejtimi të lëvizshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›