E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Diskutimet për KQZ dhe Kodin Zgjedhor, sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR”

10-08-2011 / Gazeta 55

Kreu i KQZ-së, Arben Ristani flet për ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe mandatimin e anëtarëve të rinj të KQZ-së

KQZ miraton ndarjen e mandateve të zgjedhjeve të pjesshme lokale – “Aleanca për Qytetarin” shpallet fituese në 5 njësi vendore

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Arben Ristani tha dje se, në bazë të ligjit parashikohet që të bëhen ndryshimet e radhës të anëtarëve të institucionit më të rëndësishëm të administrimit të zgjedhjeve. Kështu vetëm pak muaj para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013, mazhoranca dhe opozita duhet të bien dakord për këto ndryshime.
“Sipas Kodit Zgjedhor, mandati i këtij komisioni, pra KQZ-së, mbaron në shkurt të 2013-ës. Mendoj se, edhe sipas ligjit, diskutimet për KQZ-në e re duhet të nisin 6 muaj para. Skema e parashikuar në Kod, është shumë e qartë dhe komentet janë të tepërta për këtë”, u shpreh Ristani.
Kreu i KQZ-së tha më tej se me mbylljen e procesit ankimor në Kolegjin Zgjedhor për komunën e Finiqit, KQZ do të vendosë zhvillimin e zgjedhjeve të dielën më të afërt pas vendimmarrjes së kolegjit. Duke iu referuar kësaj situate mendohet që këtë të premte të vendoset mbajtja e zgjedhjeve në Shalë, ndërsa sipas kryetarit të KQZ rezultati përfundimtar i procesit zgjedhor të 8 majit mund të mbyllet brenda muajit gusht. “Mendojmë që, të mos humbim asnjë ditë. Menjëherë sapo të mbyllet në Kolegj, pra e diela pas Kolegjit, do jetë dita e zgjedhjeve në komunën Shalë. Kodi Zgjedhor ka një serë çështjesh që duhen shqyrtuar, por kryesore janë ato që janë sugjeruar dhe bërë prezente në raportin e OSBE/ODIHR, që në zgjedhjet e 2009-ës. Ne do të presim raportin e OSBE/ODIHR, për zgjedhjet vendore të 8 majit”, deklaroi Ristani.
Këto deklarata kreu i KQZ-së i dha pasi ky institucion ka miratuar me votat e anëtarëve të pranishëm në komision, shpërndarjen e mandateve për këshillat komunal në komunën e Mollasit në Kolonjë, në Pishaj të Elbasanit si dhe në Shllak të qarkut të Shkodrës. Në komunën Mollas të qarkut të Korçës, koalicioni “Aleanca për Qytetarin” ka fituar rreth 320 vota më shumë se koalicioni “Aleanca për të Ardhmen”.
E përkthyer në mandate, e djathta ka marrë 9 vende në këshillin komunal, ndërsa e majta katër vende. Për sa u përket partive të mëdha, PS-ja ka marrë 2 mandate, ndërsa PD-ja 5. Koalicioni i drejtuar nga demokratët ka fituar këshillin komunal edhe në komunën Pishaj, ku për shkak të gabimit në shpërndarjen e materialeve zgjedhore, nuk ishte votuar në 8 maj. Në këtë komunë të qarkut të Elbasanit, aleanca e majtë ka marrë rreth 390 vota më pak se e djathta. Në këshillin komunal, PS-ja dhe aleatët kanë fituar gjashtë mandate, ndërsa PD-ja dhe aleatët 9 mandate. Njësia e tretë vendore ku u zhvilluan zgjedhje për këshillin komunal në 31 korrik ishte Shllaku në qarkun e Shkodrës, ku sërish ka fituar koalicioni i djathtë. Aleanca për të Ardhmen ka marrë 235 ose 4 mandate, ndërsa koalicioni “Aleanca për qytetarin” ka marrë 455 vota ose 9 mandate. Nga e majta të gjitha mandatet i ka marrë PS-ja, ndërsa nga e djathta forcë e parë në këtë komunë ka dalë PAA-ja me katër mandate, PD-ja 3 dhe nga një mandat kanë fituar LSI-ja dhe PR-ja.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›