Diskutimi për Kosovën, Tadiç niset në OKB
Presidenti serb Boris Tadiç do të kryesojë delegacionin e Serbisë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara më 22 janar, në të cilën do të diskutohet për Kosovën. Gazeta beogradase "Politika", bën të ditur se Tadiç, i cili do të shoqërohet nga ministri i jashtëm Vuk Jeremic, do të flasë në këtë mbledhje të KS, në të cilën do të prezantohet raporti tremujor i kreut të OKB, Ban Ki-Moon për situatën në Kosovë. Po sipas këtij burimi, në pritje të vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, duhet interpretuar edhe vendimin e Tadiçit për të udhëtuar në New York dhe për të folur para Këshillit të Sigurimit. Lidhur me këtë mbledhje të KS-së në New York, në Prishtinë janë shprehur opinione se nuk u duhet dhënë rëndësi këtyre takimeve, sepse ato nuk janë më të rëndësishme si dikur.