E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuçi: Qeveria, strategji për veriun e Kosovës

Qeveria e Kosovës, thotë se nuk do të përdorë forcën për implementimin e një strategjie, e cila është duke u hartuar për integrimin dhe funksionimin e shtetit edhe në veriun e Kosovës, të banuar më shumicë serbe. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, deklaroi për Radion Deutsche Welle, se të gjitha pikat e kësaj strategjie fuqizimi i sundimit të ligjit, reformimi i pushtetit lokal, instalimi i qeverisjes lokale edhe në tri komunat e tjera veriore të Kosovës, si dhe përmirësimin e gjendjes sociale dhe ekonomike me investime të veçanta - do të implementohen paralelisht. Në fokus të veçantë të kësaj strategjie të hartuar nga Qeveria dhe Zyra Civile Ndërkombëtare, sipas tij, është krijimi i komunës së re të Mitrovicës së veriut. Grupi koordinues për komunën e veriut tashmë është formuar dhe në të janë të përfshirë edhe serbët lokalë. Beogradi që nga koha e pasluftës financon dhe mbështet strukturat paralele serbe në veri. Vetëm për vitin 2010 ka përcaktuar një buxhet prej 42 milionë eurosh. Por, synimi i strategjisë së Kosovës për veriun e vendit është shuarja e këtyre strukturave. Shefi i zyrës civile ndërkombëtare Pieter Feith, nuk ka preferuar të flasë shumë për strategjinë për veriun, sepse sipas, tij dokumenti akoma nuk është final por ndërkaq në një konferencë për media, ai kishte shpjeguar se Zyra Civile Ndërkombëtare nuk i njeh strukturat paralele serbe në veri, por njeh vetëm institucionet legjitime të Republikës së Kosovës. Ndërsa përfaqësues të qeverisë në Beograd, kanë thënë se strategjia e qeverisë së Kosovës dhe Zyrës Civile Ndërkombëtare për veriun, nuk mund të zbatohet pa biseduar me autoritetet e Beogradit - mundësi që hidhet poshtë nga zëvendëskryeministri Kuçi. megjithatë Qeveria e Kosovës me gjithë dëshirën për shuarjen e strukturave paralele serbe në veri të Kosovës, nuk parashikon ndonjë masë radikale që ta bëjë të pamundur funksionimin e tyre.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›