E Shtunë, 31 Tetor 2026

Distanca në letra të shkrimtarëve

(Kryeredaktori mbyll një sy)

Nga Arian LEKA (Hong Kong)

I dashur Zija, po shkon javë e parë këtu në Hong Kong (a nuk të pata thënë se koha do të rrjedhë shumë shpejt) dhe, teksa ditët shkojnë, të vjen keq pse nuk ke 100 sy, pse ditë dhe natë janë 24 orë, pse jeta nuk është 1000 vjet. Pa dyshim, gjithë këto që them, i kam edhe nga gjendja në të cilën ndodhem, pra ai që quhet statusi i studentit apo i turistit. Nuk ke gjë tjetër për të bërë dhe i merr jetës më të mirat. Zgjohu kur të duash (meqë ra fjala, ende nuk mund të fle, pasi sahati i kurdisur brenda meje që nga lindja, punon me orën e qejfit të tij, me akrepat e kthyer pas, nga kontinenti ynë), pra ha kur të të hahet (akoma nuk po me hahet, nuk di se ç'ndodh, por mbase humiditeti i ajrit të ngop dhe nuk të bie mendja për të ngrënë pa parë njeri që ha para syve të tu) dhe shih një botë, që nuk ngjan fare me tonën. O Perëndi, sa kanë punuar këta njerëz! Nuk di të them nëse do të jetoja dot këtu, në një vend si ky, por ndiej admirim për këta njerëz të heshtur në rrugë dhe aq të zhurmshëm po të ngresh sytë pak përpjetë, për të parë se gjuha e tyre është puna, ndërsa gjurma e tyre është vepra. Vetëm kur të takohemi, mund të rrëfehen të gjitha.
Java e parë shkoi me vizita për të njohur vendin e për t'u ambientuar me institucionet, ku kemi punë. Dje ishte ceremonia e hapjes. Këta e kanë dyfish ceremonialitetin, nga Perandoria e tyre dhe nga Britania, se kishin organizuar një të atillë gjë, që ne e bëjmë vetëm kur vjen ndonjë president (dhe ky po të jetë amerikan, se në qoftë ndonjë çek apo hungarez, për shembull, nuk e vë njeri aq shumë ujin në zjarr). Deri te hollësi të pamenduara. Ishalla na dërgojnë këta ndonjë foto, se ne ishim gjithë kohës ose më këmbë, ose ulu-ngrihu, për të përshëndetur. Unë lexova esenë e parë (nuk di nëse ta kam dhënë, se është shkruar në anglisht edhe kjo, pastaj e kam përkthyer - një paralelizëm mes Plutonit, si planet i panjohur dhe Shqipërisë, për të cilën nuk duan ta njohin apo bëjnë sikur e rizbulojnë pas 300 vjetësh dhe zbuluesit tanë nuk janë deli burra, por o turistë, o tregtarë).
Një ditë më parë kishim orën e kinezçes - do të bëjmë 4 orë, sa për qejf. Edhe një herë admirim për këtë popull, që paska krijuar këtë gjuhë - muzikë, miku im. Çdo zanore paskësh 6 regjistra, si të qenkëshin nota!!! Kështu që duhet thënë se ora e parë e kinezçes qe solfezh dhe impostim zëri.
Nesër kemi takim me përkthyesit tanë dhe kursin e përkthimit artistik, ku do të flasim për mënyrat sesi mund të përkthehet, për përvojat tona dhe, në fund, do të bashkëbisedojmë për rreth 1 orë me përkthyesit tanë. Kështu do të ikin ditët, e di. Një ditë do të na ftojë për drekë-darkë në shtëpi dekania e Fakultetit të Artit të të Shkruarit, një ditë tema mbi identitetin Lindje - Perëndim (ty të doli parashikimi, hapa lap topin dhe temën e parë e mbarova në ajër, nuk e di se ku ishim, mbi cilin det a mbi cilin vend, por 11 orë pagjumësi ishin më se të mjaftueshme. Tani do të ulem të shkruaj edhe tjetrën). Pastaj kemi 2 vajtje në Kinë, në kohë të ndryshme. Kemi dy lexime poezish, me komentin për mënyrën sesi shkruajmë, kemi temën tjetër, mbi fatin e letërsisë së Lindjes pas vitit 1989. Pastaj takim me skenaristë, për të bashkëbiseduar sesi mund të kthehet në tekst për skenë një poezi, pastaj me piktorë e me muzikantë, etj. etj.
Po t'i shkruaj të gjitha këto që, kur të më pyesësh: PO TI SIKUR DESHE TË MBYLLËSH EDHE ROMANIN, MOR MIK!, ta kem përgjigjen hazër. Ta kam thënë, nuk të sjell njeri deri këtu pa “të të shtrydhur”. Nga kjo, ti kupton se ende nuk kam filluar punën me romanin. Vërtet, por e kam hapur. E nëse nuk qullos gjë, këtë dimër do të lexojmë romanin tënd të ri dhe vitin tjetër timin. Në ndihmë e di se do të më vijë Evlia Çelebiu, të cilin kur e pyetën se si është më bukur të shkruash apo të lexosh, u përgjigj: Të udhëtosh. Dhe vërtet mendoj se duhet jetuar ky rast si jetë, me lexim të rrugës dhe të njerëzve. Nëse më mbetet pak kohë për romanin, lum si unë. Gjithsesi tri ese do t’i kem të fituara, ato do të ulem t’i përkthej mbase në fluturimin e kthimit.
Te përqafoj me shumë mall,
Ariani

_____________________
Shënim: Shkrimtari Arian Leka ndodhet në Hong Kong, i ftuar për të dhënë disa leksione, së bashku me shkrimtarë të tjerë të huaj.

Nga Faruk MYRTAJ (Kanada)

I dashur Zija, nuk po të shkruaj për veten kësaj radhe, se me ndihmën tënde dhe të
Astritit (Lulushi) e kam tepruar aty! Por m’u kujtua ajo pasditja e bukur, kur erdhe te Heminguej i Tiranës (ka edhe këtu një Hemmingway në një lagje tradite të Torontos) dhe pas një, a dy, a tre, a katër, a pesë konjakësh të uruar, të lyem me të zezë kafeje, më the, hajde, paguajmë tani dhe do të shkojmë bashkë diku... Dolëm në rrugë, kaluam përmatanë dhe ndaluam te telefoni publik, pranë qendrës mjekësore. Ti formove numrin dhe më the: Foli, Faruk, i thuaj Uranit se po vijmë atje!
Unë s'e dija shtëpinë e tij, por më the se e ka në një pallat me Laçon, i cili kishte marrë hyrjen e dytë, dyfishe prej demokraturës, dhe unë i thashë Uranit (Butkës), dil e na prit poshtë po munde, se ç'ka një porosi Zijai për ty.
Hajdeni në shtëpi, hajdeni njëherë, mirë se të vini, tha kolonjari.
Në udhë e sipër a më vonë fare, e mora vesh se ti shkoje t'i ktheje nderin që ai ta kishte bërë për nder, jo si borxh. I kishe redaktuar librin e parë me tregime, pa e shkuar ndërmend paranë, ndërsa ai kishte bërë të vetën, bashkë me librin e botuar të kishte kthyer mirënjohjen me një zarf të mbyllur.
Po priste atje lart, në ballkonin e tij, si derë aristokrate që ishte, por kur pa që arritëm, zbriti menjëherë poshtë. Kaluam vërtet shumë bukur, dhe ajo grua-zonjë, fisnike e shkuar fisnikes, si nuk mblodhi një herë buzët, megjithëse ishim të ngrohur me heminguej... Dhe pastaj ikën dritat e ne u ngritëm për të ikur, por ata zbritën të dy gjer poshtë shkallëve, kurse Butka erdhi gjer te kryqëzimi i Zogut të Zi. Aty ndaloi një taksi për ne dhe e parapagoi. Atë çast ti ishe i lehtësuar, e kishe kthyer zarfin dhe the, po, këtë nder e pranoj, por nuk mund të pranoj honorare nga miqtë.
Sot lexova Shefin e Policisë së Shtetit (tregimin “Dora tjetër e shtetit”, botuar në “albania e vogël” numrin e kaluar), që s'u bë dot kurrë. Diku-diku, tregimi bëhej i jashtëzakonshëm, ah sa do ta dëshiroja atë pjesë shefi policie, që ngrinte babanë e tij në vend të cilitdo president modern, le ta shkelte edhe kushtetutën, ama të bënte shtetin, le ta qortonin për përshëndetjen, vetëm të ndiheshin mirë shtetasit... Por nuk di pse, mbase i drojtur paksa prej madhështisë së asaj që donte të shkruante e të kumtonte, apo i sunduar prej qortimit që nuk rrinte dot pa ua bërë atyre që prishin punë duke menduar se bëjnë mirë, tregimi bëhej tjetër... Por mbase jam gabuar në leximin e parë, po dal të bëj ndonjë punë dhe po kthehem ta lexoj sërish!
Me mall për të dy, Çelën dhe Butkën.
Faruku i vetmuar

---------------------------------------------------------------------------

Nga Rudolf MARKU (Angli)
I dashur Zija, arsyeja që nuk të kam shkruar më parë është se nuk doja të të shkruaja, përpara se t'i lexoja të tre librat e tu. Sot kam përfunduar faqen e fundit të Las Varrezas, ndërsa dy librat e tjerë i kisha lexuar disa ditë më parë. E fillova me Gjaku im i errët. Vazhdova me Oborri i një tirani të fshehtë dhe sot përfundova Las Varrezas.
E kam pasë bindje se ti je prozatori më i guximshëm i letërsisë së sotme shqipe. Jo prozatori më i rëndësishëm pas Kadaresë, siç u pëlqen të thonë L. Stani a ndokush tjetër. Mendoj se Letërsia nuk ka krahasime. Një autor është një yll më vete a një planet më vete, kur ai është autor. Zija Çela është një planet letrar, krejt më vete, i pakrahasueshëm. Sepse, po të qe i krahasueshëm, ai nuk do të qe i rëndësishëm dhe vetvetja.
Librat e tu janë të shkruar me ethet e krijimtarisë. Me marrëzinë e gjeniut. Me kapriçiot e krijuesit që nuk përfill asgjë dhe askënd. Gjaku im i errët është një ëndërr reale, është një kapriçio serioze. Ajo që nis si fantazi, ëndërr, del që është një vizitë në Argjentinë, madje një vizitë kaq konkrete, sa del që ke qenë me Mira Meksin dhe me Luljetën (ndoshta Lleshenaku, ndoshta Dano), se ke takuar dhe një aksh përgjegjës për Ballkanin (Fernando Rodrigues) etj., etj. Por këto që paraqiten si fakte të vërteta treten në mjegull, dhe ja ku dalin Borhes dhe Sabato, ja ku del Aleph-i dhe L'ange de tenebre. Ëndrra del e bëhet realiteti i vetëm, ashtu siç ndodh në të vërtetë. Sepse e gjithë letërsia e madhe është një ëndërr. Dhe ti je në vendin tënd, mes Borhesit dhe Sabatos. Jo i krahasuar me ta, por në shoqërinë natyrale të tyre.
Vëllimi me tregime Oborri... tregon një mjeshtër të tregimit të shkurtër. Ti e zotëron tregimin në mënyrën më mjeshtërore.Ti je toroadori që i tund pëlhurën e kuqe demit të tregimit. E sfidon dhe e zotëron në të njëjtën kohë. Më pëlqen në tregimet e tua struktura e saktë, e ngjeshur, muskulore. Karakteret stramo, të ligj e të mirë njëkohësisht, gjuha elegante dhe e ashpër në të njëjtën kohë, realizmi dhe fluturimet sureale në të njëjtën kohë, shprehjet poetike dhe fjalët dhe shprehjet vulgare që shkojnë bashkë. Tregimet Shul e shul, Harrove këpucët, njeri, Vendlindja e përfolur, Letër Biankës, Frau Riva (një poezi për dashurinë prindërore për Rivën, ndonëse tregimi shtiret se është në kahjen e kundërt, dashuria e bijës për të atin! - sa prekëse dhe poetike!), Qepë të djegura (ndër tregimet më të bukura), Trofta e qenit (një tregim i rrallë në letrat shqipe), e kështu me radhë. Nuk njoh në letërsinë shqipe tregimtar më të mirë (ja ku m'u shfaq dhe mua shprehia e krahasimit)...
Tash të vijmë te libri Las Varrezas. Ështe një ndër librat më të mirë që kam lexuar në jetën time. Libri me tregime duket se ka qenë një ushtrim për të shkuar te Las Varrezas. Jo thjesht se ti e rimerr tregimin Misteri i Jetës. Por karakteret e tregimeve paralajmërojnë karakteret dhe atmosferën e romanit. Romani ka një gjetje të rrallë, një gjetje si Shpirtrat e Vdekur të Gogolit. Është një roman madhor satirik, grotesk, tragjik, thellësisht shqiptar dhe njëkohësisht universal. Zhvillimi i ngjarjeve përmes asaj pafundësie karakteresh (më mahnit aftësia për t’u gjetur emra të gjithë persoanzheve - një personazh madje del dhe me mbiemrin Ma…, e më ke bërë me qeshë me të madhe!!!), paaftësia jonë për të dashtë tjetrin (Vdis për mua! në vend që - unë vdes për ty!), të kujton romanet më të mëdha të letërsisë botnore. Urimet më të mëdha për këtë roman të madh e të pakrahasueshëm! Fundi i tij, po ashtu si fillimi tij, është superb! Dhe titulli, një titull i jashtëzakonshëm! (Tek-tuk redaktori duhej të kishte treguar më vemendje në qërimin e orizit. Në një vend, kur përmendet një shfaqje e Mbretit Lir në Kukunam, thuhet se personazhi thotë - Një kalë, për një kalë e jap mbretërinë! Nagtërresa është bërë me qëllim? Apo është lapsus? Nuk del e qartë.)
Zija i dashur, jam ndier krenar tek lexoja librat e tu që të kam mik, që kemi qëndruar bashkë shumë e shumë vite. Po kështu, do doja me të thanë falënderimet e mia për kohën që qëndruam bashkë në Tiarnë e në Durrës. Për bisedat që ndamë bashkë, për miqësinë dhe dashamirësinë. Një ndër romanet e njohura të letërsisë angleze fillon me këtë fjali: E shkuara është një vend i huaj. Nuk na lejohet që të shkojmë atje, ngase atje i bëjnë gjërat ndryshe!!! Këtë radhë qëndrimi me ty, me Bujarin (Xhaferi) dhe Preçin (Zogaj) ka provuar se ne mund të shkojmë tek e kaluara jonë, pa pasë nevojë për viza.
Të falënderoj për gjithçka, Zija Çela!
Vllaznisht, Rudolf Marku
_____________________
Shënim: Gjatë muajit shtator poeti Rudolf Marku ishte në Durrës, ku mori pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë, bëri lexime nga krijimtaria e tij, si dhe mbajti kumtesën “Përkthyesi si poet i fshehur” në një tryezë të rrumbullakët.

2 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›