SHBA, fushata presidenciale afër fundit, Obama në krye
Kandidatët për president të SHBA-ve, Barak Obama dhe Xhon Mekein, po përballen me fushatat në shtetet më të rëndësishme vetëm pak ditë para zgjedhjeve. Republikani Mekein ka zhvilluar mitingje në Virxhinia dhe Pensilvani, ndërsa kadidatja e tij për nënpresidente, Sara Pejlin, po bën ndalesa në Karolinën e Veriut dhe në Florida. Zoti Mekein ka dalë dje edhe në programin televiziv komik “Saturday Night Live”. Nga ana e tij, zoti Obama mbajti fjalimin e përjavshëm në radio, në emër të demokratëve, si dhe bëri fushatë në shtetet Kolorado, Mizuri dhe Nevada. Kandidati i tij për nënpresident, senatori i shtetit Delaver, Xhozef Bajden, mori pjesë në mitingje fushate në Indiana dhe Ohajo. Para dy ditësh, guvernatori i Kalifornisë dhe ylli i njohur i Hollivudit, Arnold Shvarceneger, iu bashkua senatorit nga Arizona për të bërë fushatë me të në shtetin e Ohajos. Zoti Obama e akuzoi senatorin Mekein se po ofron të njëjtat politika të vjetruara ekonomike të presidentit jopopullor, Xhorxh Bush. Senatori Obama vazhdon të kryesojë ndaj senatorit Mekein në anketat kombëtare me 5 për qind. Zgjedhjet do të vendosen nga kolegji elektoral, bazuar në rezultatet e 50 shteteve dhe në Uashington DC. Anketimi i zhvilluar nga agjencia “Rojter” thotë se Obama ka mbështetjen e 49 për qind të votuesve potencialë, ndërsa Mekeini të 44 për qind të tyre. Ndërkaq, rrjeti televiziv “CNN” ka pohuar se përsa u përket votave elektorale, që janë vendimtare për epilogun e zgjedhjeve presidenciale, senatori demokrat Barak Obama ka një epërsi më të thellë. Nëse zgjedhjet do të ishin zhvilluar dje, Obama do të fitonte 291 vota elektorale, ndërsa Mekejn 160. Për të fituar kandidatët duhet të fitojnë 270 vota elektorale. Votën e tyre do të kenë mundësi ta japin edhe dy astronautët amerikanë që ndodhen në hapësirë, qindra kilometra larg Tokës. Lajmi u bë i ditur nga agjencia kozmike “NASA”. Astronautët Majk Fincke dhe Gregori Çamitof, që ndodhen në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës, do të votojnë përmes një fletë-votimi elektronik, që do t’ua dërgojë qendra kozmike në Houston, në Teksas. Vota e tyre do të pranohet nga autoritetet e Teksasit. “Megjithëse jemi larg shtëpisë, më shumë se 300 km mbi planetin tonë të bukur, do ta shfrytëzojmë të drejtën tonë dhe privilegjin kushtetues duke plotësuar fletëvotimin”, - tha astronauti Fink, duke mos saktësuar se kujt do t’ia japë votën.
2 Nentor 2008