E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fat i mbrapshtë, por poezi me fat

“Jemi të pandehur”e titullon librin Hyzoti

Dalip GRECA

Poezia e Vaid Hyzotit rrjedh në drejtim të kundërt me fatin e tij në jetë. Kam mendimin se poeti e mundon tepër shpirtin që dhemb në jetën e përditshme e lëmohet në aktlindjen e poezisë. Nuk besoj se po them ndonjë gjë të re në konstatimin se fati jetësor dhe fati poetik nuk janë në të njëjtën rrjedhë, madje i pari është në kundërrymë me të dytin, ose e kundërta. E ka shpjeguar e argumentuar këtë kundërshti edhe Roland Gjoza në esenë e tij ”Ylberit i mungon e zeza”. Vaidi është i pafat në jetën plot vuajtje e tallaze, por ka me fat poezinë, e cila i buron nga shpirti që vuan dhe ia mjekon plagët vetes.
Imagjinoj për një çast tablone në një kafene të zhurmshme në Ridgewood-Nju Jork, ku ata të dy, Vaidi e Rolandi, shkëputen fizikisht nga realiteti i zhurmshëm, pjesë e të cilit janë dhe kyçen në mbretërinë e çuditshme të poezisë. As zhurmat më të forta nuk janë të afta që t’i shkëpusin nga bota e tyre e çuditshme. Për pak kohë, poeti Hyzoti e sheh botën përreth në mënyrë iluzive; harron pak çaste problemet me shëndetin, aparatin në zemër që po i vjen koha të ndërrohet, ilaçet që janë shtrenjtuar e inshuranca e tij nuk e përballon, harron hallet me Gjykatën e emigracionit apo Gjykatën e Apelit dhe ndjehet i tjetërsuar, kalëruar në Pegasin që i sjell frymën e shenjtë të aktit krijus. Ndjehet mirë larg halleve të jetës, por ah, ky çast nuk mund të jetë i përjetshëm; kthehet në realitet dhe një rënkim e bën mikun e tij përballë të shpërthejë: ”Ç'pate, o Vaid, që e shndërrove dhimbjen, këtë këlysh kurve,që po na ha të gjallë,në ndjenjë divine? Ti vuan sa plas, po shpirti të nxjerr dritë, gëzim, lot të mahnitshëm; ti të jep dhimbje, njëqind përqind dhimbje, të tjerët e thonë dhe unë bashkohem me ta, miku im; sa bukur, ç'gjetje e hollë!, në vend që të thërrasim urgjencën. Fat i mbrapshtë, po poezi me fat.Ti di të mos gëzosh shumë. E kupton me intuitë kotësinë e famës.Ti je aq i sinqertë dhe i vërtetë në poezi, sa ke guximin e rrallë të jesh i tillë edhe me veten. Kjo ndodh rrallë. E hedh vargun ku të mundesh, e nxjerr, se nuk e mban dot, po më fort për atë lehtësimin dhe gjasmë gëzimin që ndjen, i cili mbyt ligështimin e punëve që s'të ecin në jetë dhe pret me një grimë shprese se mos vjen ai piktori që të ndryshojë tablonë. As edhe një pupël nuk u shtua në të...”
Mendoj se në këtë paragraf të cituar nga eseja ”Ylberit i mungon e zeza” janë shprehur të gjitha të vërtetat e poezisë dhe jetës së Vaidit, emigrantit të pafat që jeton New York. Në fakt, kaq sa citova do të mjaftonte për të dhënë esencën e poezisë së tij.

* * *
Libri “Jemi të pandehur” nga ana kompozicionale është ndërtuar me pesë nëndarje. Kapitulli i parë, që mban titullin “Key West”, përmban 15 poezi dhe përcjell mbresa poetike për vende që autorit ia kanë nxitur fantazinë. Ndërsa te cikli i dytë, “Loja”, gati në të njëzet poezitë, që nga “Endërr e Çmendur” e deri te “Statuja e Lirisë”, ndjehet dyluftimi i tij me fatin , i cili sikur i ka shpallë luftë të përjetshme dhe vetë poeti e ka pranuar sfidën, natyrisht jo me nënshtrim. Në ciklin e tretë, “S’i dua qirinjtë”, ka poezi të realizuara artistikisht, që të dhurojnë një lloj dhimbjeje, apo një ndjenjë tjetër të përafërt me të, si ”Vdekjen e ndjej pranë”, “Krimb në Manhattan”, “Kur të vdes”, “Si komunistët” etj.
Nëndarja e katërt, “Lodër dashurie”, përmbledh pesëmbëdhjetë poezi, ku do të veçoja ”Gjyshja”, ”Lodër dashurie”, “16 vjeç”, “Bojë flokësh”, etj. Libri mbyllet me ciklin e pesti, i cili përmban gjashtë poezi, që autori ia kushton të birit. Sa herë që lexoj një poezi, një cikël poetik a një libër të tërë, pasi e kam mbaruar, pyes veten: A e përjetova atë që konstatonte Emili Dikinson, që na ka lënë këtë matës për poezinë e mirë: “Nëse lexoj një libër dhe i gjithë trupi më bëhet kallkan e s’ka zjarr që më ngroh, e di që kjo është poezia. Nëse më duket sikur koka po më çahet, e di që kjo është poezia. Këto janë të vetmet mënyra për ta njohur atë. A ka ndonjë mënyrë tjetër?” Ndërsa Robert Grejvsi, e paraqeste poezinë e mirë me origjinë hyjnore. Ai shkruan: ”Arsyeja pse flokët na ngrihen përpjetë, sytë përloten, fyti të shtërngon, mishi të rrëqethet, dhe mornica të kalojnë në trup, kur dikush shkruan apo lexon një poezi të vërtetë, është se poezia e vërtetë është patjetër një lutje e Perëndeshës së Bardhë, ose muzës, Nënës së të gjallëve, fuqisë antike, të frikës dhe të lakmisë së bletës mbretëreshë ose merimangës femër, përqafimi i së cilës është vetë vdekja.” (“Lamtumirë Fjalë”, Hart Wegner, sjellë në shqip nga Pirro Dollani.)
Nuk di se ç’gjë e shenjtë ka ndikuar nga të gjitha këto në poezinë e Vaid Hyzotit. Unë di të them vetëm kaq: Pasi e përfundova vëllimin poetik “Jemi të pandehur”, mbaj mend se isha shumë i turbulluar dhe m’u desh të merrja atanalol dhe amlodipinë shtesë për të rregulluar ritmin e rrahjeve të zemrës dhe normalizimin e tensionit.
Disa ditë pasi e kisha lexuar librin “Jemi të pandehur”, fillova ta rishfletoja si për të gjetur shkakun e turbullimit. Nuk e di pse u ndala gjatë te “Ikim, biri im!”. Kjo bisedë poetike me të birin përcjell dramën e një emigranti, që jeta e ka parë me syrin e një njerke, por gjen tek ai një zemër që i përgjigjet plot nerv dhe frymëzim bujar.

2 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›