E Diel, 1 Nëntor 2026

Engel: “Politika amerikane në Ballkan nuk do të ndryshojë”



Kongresmeni demokrat, Eliot Engel, i cili ka në distriktin e tij një komunitet të madh shqiptaro-amerikanësh, tha në një konferencë telefonike me shtypin dhe pjesëtarë të komunitetit shqiptaro-amerikan, se për sa i përket Kosovës dhe Shqipërisë, pavarësisht se cili nga dy kandidatët zgjidhet president, asgjë nuk do të ndryshojë.
Vetë Engel ka shprehur mbështetjen për senatorin Barak Obama dhe argumenton se kandidatura e tij është më e mirë lidhur me zgjidhjen e problemeve të brendshme që kanë aktualisht Shtetet e Bashkuara. “Politika dhe mbështetja për pavarësinë e Kosovës, për Shqipërinë, për shqiptarët në Maqedoni, në Mal të Zi ka qenë dy-partiake. Ajo filloi në vitet e Klintonit dhe vazhdoi në një masë të madhe në vitet e presidentit Bush. Si Senatori Mekein, që ka një histori të njohur në favor të kësaj politike, ashtu edhe senatori Obama do t’i përmbahen asaj”,- ka vlerësuar Engel. Engel citoi në këtë kontekst dhe lexoi dy paragrafë nga një letër që senatori Obama i dërgoi kohët e fundit Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan ku shpreh mbështetjen për pavarësinë e Kosovës dhe vazhdimësinë e politikës amerikane atje dhe në gjithë rajonin e Ballkanit. “Mbështetja amerikane për Kosovën është e pakthyeshme. Shtetet e Bashkuara kanë qenë hapur forca drejtuese e pavarësisë së Kosovës, forca mbrojtëse për të drejtat e shqiptarëve në Ballkan. Senatori Obama, në postin e presidentit, do ta vazhdonte këtë politikë, por unë shpresoj që edhe Serbia, ndërkohë do të ketë një udhëheqje më të moderuar”,- theksoi ai.

Situatë e tensionuar në Suhadoll të Mitrovicës

Janë kthyer sërish trazirat në veri të Kosovës. Qytetarët e fshatit Suhadoll të Mitrovicës kanë tentuar të rinisin punën për rindërtimin e shtëpive, por njësitë speciale të Policisë së UNMIK-ut nuk e kanë lejuar një gjë të tillë. Sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës për Rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, nuk është shënuar ndonjë incident apo konfrontim fizik. Por, sipas tij, tensionet janë të mëdha. Policia, sipas Hotit, ka dalë në bazë të një vendimi të Administratës së UNMIK-ut, i cili nuk lejon të punohet në rindërtimin e shtëpive shqiptare në atë pjesë. Për këtë incident, kryetari i Mitrovicës, Bajram Rexhepi, ka fajësuar drejtpërdrejt administratën e UNMIK-ut në veri, e cila, sipas tij, e ka iniciuar atë.

Malajzia për njohjen e Kosovës: Mbështetëm aspiratën për pavarësi

Qeveria malajziane ka mbrojtur vendimin e saj për Kosovën. Ky vend e njohu Kosovën para dy ditësh dhe Beogradi përzuri nga Serbia ambasadorin e Malajzisë për këtë hap që ndërmori vendi i tij. Ministri i Punëve të Jashtme të Malajzisë, Rais Yatim, deklaroi se vendimi i qeverisë së këtij vendi për të njohur pavarësinë e Kosovës ka për qëllim “ndihmesën e aspiratave të popullit të Kosovës në dëshirën e tyre për një shtet të pavarur”.
Ministri Rais Yatim vuri në pah se Malajzia planifikon të vendosë marrëdhënie diplomatike me Kosovën në një kohë të përshtatshme, bën të ditur agjencia e lajmeve të këtij vendi “Bernama”. Ndërkohë, Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë kërkoi nga ambasadori i Malajzisë që brenda 48 orëve të largohet nga Beogradi. Shkak është njohja e pavarësisë së Kosovës.

2 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›