E Shtunë, 31 Tetor 2026

Distinktivi i Scharzenbergut

Shefi i diplomacisë çeke, Karel Schwarzenberg, ka shokuar opozitën majtiste kur në Parlament është shfaqur me distinktivin “Eja Putin! Shko te vendi, Putin!”

Socialdemokratët opozitarë e akuzuan ministrin për gafin diplomatik.

Distinktivi me komandat që zakonisht i jepen qenve fillimisht u shfaq në faqet e gazetës ditore ‘Mlada Fronta Dnes’, kurse Schwarzenberg deklaroi se e kishe vënë atë sepse ishte një mahi e mirë, por edhe për ta zemëruar vajzën që ia kishte dhuruar.

"Do të ndjehesha keq nëse kryeministri rus do të ofendohej nga ky veprim. Unë këtë e përjetoj si një mahi. Por, nëse ofendohet edhe pas gjithë asaj që po ndodh në Rusi, atëherë ndërgjegjja do të më brejë shumë më pak”, theksoi Schwarzenberg.

Zëvendëskryetari i Dhomës së Ulët të Parlamentit të Çekisë, dhe ministri i Jashtëm i vendit në qeverinë socialdemokrate në hije, Lubomir Zaoralek, e dënoi këtë mahi, duke e quajtur të pashije. Madje, pohoi se nuk iu kishte besuar syve kur kishte parë se çfarë shkruante në distinktiv.

"Kjo është e pashije, dhe më befasoi shumë. Ministri i Jashtëm ka mënyra të tjera për t’u shprehur”, tha Zaoralek.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›