Edmond Tupja: Greva, për qëllime jodemokratike
Gjykoj se situata është shumë e rëndë, sepse kjo grevë po bëhet për qëllime jodemokratike. Domethënë është një njeri, zoti Rama, që mban peng jo vetëm PS-në, por po mban peng mbarë Shqipërinë. Po komprometohet e ardhmja evropiane e vendit dhe mua kjo më dhemb. Më dhemb, sepse ndihem krejtësisht evropian dhe kjo grevë po merr në qafë edhe pjesëmarrësit e saj; dhe përveç kësaj, zoti kryetar nuk është futur në grevë. Me gjithë rezervat që unë kam për mënyrën se si po shkojnë punët në Shqipërinë e brishtë demokratike, unë mendoj se komuniteti evropian do që Shqipëria të integrohet; por me sa duket, një pjesë e shqiptarëve nuk duan dhe në këtë pjesë unë fus PS-në, të manipuluar nga Edi Rama, se dhe aty ka njerëz të ndershëm. Edi Rama ka një problem personal, një problem që ndoshta ka një natyrë frojdiane dhe që shkon deri në fëmijërinë e tij të hershme. Të shkojë të kurohet, sepse nuk mund të kompensohet një kompleks frojdian me dhunën që po ushtron mbi të ardhmen e Shqipërisë dhe të tashmen. Po mban peng vendin dhe për mua kjo është katastrofë kombëtare. Unë lus Zotin dhe ndryshe nga çthoshte Volteri O Zot më mbro nga miqtë se nga armiqtë mbrohem vetë, unë them: O Zot mbroje Edi Ramën jo nga miqtë dhe armiqtë, por nga vetvetja dhe duke mbrojtur Edi Ramën nga vetvetja, mbroje Shqipërinë nga Edi Rama. Në qoftë se jo vetëm militantët deputetë, por edhe deputetë militantë, jo vetëm zotërinjtë, por edhe zonjat e Partisë Socialiste futen në grevë me vetëdije të plotë, kjo është puna e tyre. Janë madhorë, janë të lirë në një vend demokratik dhe të marrin parasysh pasojat. Por në qoftë se dikush, në rastin konkret kryesia e partisë, dhe në rastin konkret, Edi Rama i detyron të futen në grevë, për mua është krim, është krim, sepse përgjegjësitë nuk i mban vetëm personi që hyn në grevë, por i mban edhe partia dhe është një njollë për Partinë Socialiste. Në analet e historisë do të shkruhet ky moment, por do të jetë një njollë për PS-në.