Dita e Drejtësisë
Pavarësisht se veriu akoma mbetet kompleks për shtrirjen e sundimit të ligjit, sistemi gjyqësor dhe ai i drejtësisë ka shënuar progres. Kështu vlerëson kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, në Ditën e Drejtësisë në Kosovë. Megjithëkëtë, Peci thotë se sistemi gjyqësor, si hallkë kryesore e drejtësisë, përballët me shumë sfida.
“Sistemi gjyqësor është ende në gjendje jo të mirë, për shkak se janë disa aktivitete dhe sfida të mëdha, procesi i riemërimit dhe gjyqtarëve e prokurorëve, i cili proces ka përfunduar, por jo në mënyrë plotësisht të suksesshme, ngase nuk është plotësuar numri i mjaftueshëm i gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ne jemi në përpjekje që me të vërtet sundimi i ligjit në aspektin e gjyqësorit të jetë më i avancuar dhe në të ardhmen të jetë vërtet ashtu siç kërkohet në bazë të ligjit dhe Kushtetutës”, thotë Peci.
Një element që pritet të ndikojë në shtimin e efikasitetit të punës në gjyqësor, sipas kreut të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, është rritja e pagave të gjyqtarëve.
“Rritja e pagave është njëra prej komponentëve apo arsyeve që në të ardhmen pritet të shtojë efikasitetin në punë, por edhe përgjegjësinë e institucioneve, në mënyrë që në të ardhmen edhe fenomeni i korrupsionit që është i përfolur shumë të zbutet dhe përgjegjësia në të ardhmen të vlerësohet tek secili bartës i funksionit”, theksoi Peci.