E Shtunë, 31 Tetor 2026

'Kosova të mos heqë dorë nga kryesimi i CEFTA-s'

Nga Express më 16 janar 2011 në ora 17:10

Ndonëse gjatë këtij viti Kosovës i takon kryesimi i radhës së CEFTA-s, tash janë ngritur dilemat se a mund të marrë udhëheqjen e këtij institucioni, kur dihet se Serbia dhe Bosnja nuk e njohin ende shtetin tonë. Njohës të çështjeve ekonomike vlerësojnë se Kosova patjetër duhet të marrë kryesimin dhe të tregojë bashkëpunim ekonomik me të gjitha vendet.

Kosova pasi ka shpallur e pavarësinë, iu është pamundësuar pjesëmarrja në marrëveshjen e CEFTA-s, për shkak të mos njohjes së dokumentacionit nga ana e Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës. Këto dy vende kanë vendosur bllokadën ekonomike ndaj prodhuesve kosovarë, ndërkohë që autoritetet kosovare nuk kanë ndërmarrë masa reciproke.

Kreu i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu ka thënë për Kosovapress se CEFTA-s është diskutuar dhe debatuar shumë vetëm në kuluare, mirëpo në aspektin institucional nuk ka ndonjë hap për zgjidhjen e këtij problemi.

Kosova mund të marrë kryesimin, por duke mos u përdorur simbole dhe emra, por Gërxhaliu e sheh si të nevojshme që implementimin e kësaj marrëveshje.

“Informatat që ne i posedojmë si Odë Ekonomike, Kosova do të përdorë një model neutral të udhëheqjes në Sekretariatin e CEFTA-së të quajtur GEMI, ku nuk do të ketë flamuj, nuk do të ketë emra. Takimet zakonisht do të mbahen nëpër zyra dhe objektet e përfaqësuesve evropian në Kosovë. Në fakt, kjo do të jetë e monitoruar dhe menaxhuar drejtpërdrejt nga Sekretariati. Ne duhet të mbledhim forcë dhe të japim kontributin tonë që kjo marrëveshje të funksionojë dhe që Kosova përmes implementimit të kësaj marrëveshjeje të promovojë vlera, profesionalizëm, dialog”, është shprehur Gërxhaliu.

Ministri në largim i Ekonomisë dhe Financave Ahmet Shala vlerëson 2011-në si vit të rëndësishëm për Kosovën, sepse siç ka thënë ai, Kosova duhet tregohet e kujdesshme në gjetjen e zgjidhjes, në mënyrë që ajo të jetë e pranishme në këtë organ. Ai ka shprehur besimin se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë do të luajë rol të fuqishëm në të ardhmen në këtë drejtim.

“Kjo ministri do të jetë në mbështetje të çfarëdo modaliteti i cili e funksionalizon Kosovën si shtet dhe e ndërpret diskriminimin ndaj shtetit të Kosovës, prodhuesve dhe tregtarëve të Kosovës. Propozimet e dhëna janë në këtë funksion dhe jam i sigurt që kjo do të arrihet shumë shpejt në javët që po vjen, ku do të kemi mundësinë që Kosova të ketë zërin e fuqishëm në këtë institucion”, ka thënë Shala.

Ndërkaq, kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini ka thënë se deri më tash institucionet e vendit janë sjellë sikur e injorojnë CEFTA-n, duke zbehur autoritetin e vet në këtë institucion.

“Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, e cila qe disa muaj është pa ministër, e ka zbehur autoritetin e Kosovës për të marrë dhe për të udhëhequr këtë institucion të rëndësishëm”, shprehet Shahini.

Njohësi i çështjeve ekonomike, Musa Limani, thotë se Kosova duhet të ndërmarrë masa reciprociteti ndaj Serbisë dhe Bosnjës, për shkak të bllokadës ndaj eksportit të mallrave kosovare.

“Këtu na bëhet një lloj bllokade dhe këtu mendoj se duhet të zbatohet parimi i reciprocitetit. Nëse Serbia bën bllokadë ndaj Kosovës, të njëjtën gjë duhet t’ia kthejmë edhe ne Serbisë. Në këtë rast humbje do të jetë për Serbinë, sepse Kosova 60 për qind të produkteve i importon nga Serbia, andaj nëse e humb këtë treg Serbia do të dëmtohet shumë”, ka thënë Limani.

Qe nga shpallja e pavarësisë Kosova nuk ka marrë pjesë në Marrëveshjen për Tregti të Lirë CEFTA, pasi Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina, nuk e njohin pavarësinë e Kosovës dhe simbolet e saja. Nënshkrues i marrëveshjes për CEFTA-n ka qenë UNMIK-u në vitin 2007, ndërsa tash pritet që në mars zyrtarisht Kosova të marrë kryesimin e këtij institucioni. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›