Me të vjetrën
Deklaratat e Nënkryetarit të AAK’së, Naim Maloku, se partia e Ramush Haradinajt duhet të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme bashkë me PDK’në, nuk i ka trazuar fort anëtarët e Kryesisë së AAK’së.
Gazeta ka kontaktuar shumicën nga ta, të cilët kanë thënë se ende e mbajnë qëndrimin se nuk duhet të hyhet në koalicion me PDK’në e Hashim Thaçit. Disa kanë përmendur edhe emrin e Ramush Haradinajt, si të fundit që vendos për hyrjen ose jo të AAK’së në qeveri.
“Pas certifikimit të rezultateve do të dihet saktë qëndrimi i AAK’së. Pastaj nëse hyhet në koalicion me PDK’në, unë do ta shqyrtoj pozitën time në parti”, ka thënë një zyrtar i Kryesisë së AAK’së, i cili ka ikur kohë më parë nga LDK’ja.
Nënkryetari i AAK’së, Ahmet Isufi, ka përsëritur se asgjë nuk ka ndryshuar në parti, pavarësisht deklaratave individuale. E ka quajtur qëndrimin e Malokut formë demokratike, duke rikonfirmuar se qëndrimi brenda partisë është sikur ka qenë para 12 dhjetorit.
“AAK e ka atë qëndrim që e ka pasur. Formalisht jemi në demokraci dhe pikëpamjet mund t’i shprehë secili. Por, edhe z. Maloku e ka përmendur se edhe organet e partisë nuk kanë marrë qëndrim”, ka thënë Isufi. “Unë personalisht e përkrah qëndrimin që ka qenë edhe më herët dhe jam për atë qëndrim”.
Të njëjtën përgjigje e ka dhënë edhe anëtarja e Kryesisë së AAK’së, Donika Kadaj – Bujupi.
“Qëndrimi i AAK’së rreth koalicionit nuk ka ndryshuar. Ne nuk do të bëjmë koalicion me PDK’në për arsye të njohura, të cilat i kemi përsëritur shumë herë”, ka thënë Kadaj – Bujupi .
Duke komentuar deklaratat e Malokut, ajo ka theksuar se kjo është shenjë se në partinë e tyre ka demokraci.
“Edhe më tutje ne i kemi thënë jo një koalicioni me PDK’në. Nuk po dua të paragjykoj çka nëse, por po e rikonfirmoj se nuk do të ketë koalicion me PDK’në”.
Burime brenda AAK’së kanë treguar se idenë për koalicion me PDK’në e mbështesin udhëheqësi aktual i partisë, Blerim Shala, pastaj Naim Maloku, Ramiz Kelmendi, Ali Berisha, Pal Lekaj, Jahja Lluka dhe disa zyrtarë të tjerë.
Sipas burimeve të Express brenda AAK’së, shumica e kryetarëve të komunave që udhëheq AAK janë pro koalicionit me partinë e Hashim Thaçit, për shkak se mendojnë se nëpërmjet ekzekutivit mund të përfitojnë komunat e tyre.
E, ata që janë pozicionuar kundër hyrjes në koalicion janë: Ardian Gjini, Avni Arifi, Burim Ramadani, Blerim Kuçi, Melihate Tërmkolli dhe zyrtarë të tjerë të ardhur nga LDK’ja.
Megjithëkëtë, Gjini, Ramadani dhe Arifi e kanë vizituar liderin e tyre në Hagë dhe kanë dëgjuar edhe qëndrimin e tij.
Por, Avni Arifi ka thënë për Express se vizita në Hagë nuk ka të bëjë me zhvillimet politike, por ka karakter shoqëror. “Vizita ka qenë në cilësinë e shokut dhe jo politike”.
Ndërkohë, Lista Dr. Ibrahim Rugova, e cila ka marrë pjesë në zgjedhje me AAK’në, ende është duke llogaritur pazaret parazgjedhore. Anëtari i kësaj liste, Bujar Bukoshi, ka thënë se janë duke pritur përfundimin e zgjedhjeve për të qartësuar pozicionin e tyre. Ka dhënë edhe vlerësime për qëndrimet e ndryshme që janë brenda AAK’së.
“Është mendim i z. Maloku - në rregull. Nuk ka asgjë të keqe aty”, ka thënë Bukoshi për Express.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka dalë partia e pestë në zgjedhjet e fundit. Gjatë kohës sa ka qenë në opozitë, ia kishte dalë të bëhet grupi i tretë opozitar në Kuvendin e Kosovë dhe prijëse e qëndrimeve opozitare.
Tash, gati në përfundim të procesit zgjedhor, zyrtarët e AAK’së janë ndarë në dysh sa i përket hyrjes në qeverinë e ardhshme bashkë me PDK’në.