E Diel, 1 Nëntor 2026

Dita e Europës, Meta: Të ikim 5 minuta nga fushata dhe të votojmë tre ligjet

ilir-meta-lsiTiranë- Duke përshëndetur Ditën e Evropës, lideri i LSI-së në një konferencë për shtyp ka ftuar edhe një herë liderin e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike që të mblidhen deri të enjten dhe të votojnë 3 ligjet e vendosura kusht nga Bashkimi Evropian.

Meta shprehu keqardhjen që edhe në këtë ditë feste, politikanët u morën me retorikë dhe jo me veprime konkrete:

Është për të ardhur keq që edhe në ditën e sotme, në vend që të merreshin me angazhime konkrete për të hedhur një hap tjetër drejt Bashkimit Evropian, dëgjuam një retorikë të përsëritur akuzash për fajësime për bllokimin e këtij procesi.

Ndaj sot, në këtë ditë të rëndësishme, në Ditën e Evropës, gjej rastin të ftoj edhe një herë kryetarin e Partisë Demokratike, në mënyrë të veçantë, z. Berisha, kryetarin e Partisë Socialiste, z. Rama. dhe kolegë të tjerë që të takohemi, të shkëputemi 5 minuta nga fushata elektorale dhe të takohemi deri të enjten në orën 10:00 për të bashkërenduar miratimin e këtyre tre ligjeve, në mënyrë që ti përgjigjemi edhe kësaj kërkese të vazhdueshme të Bashkimit Evropian edhe të mbarë qytetarë shqiptarë me seriozitet dhe përgjegjshmëri dhe duke hequr dorë nga shkëmbimet e tepërta të akuzave të cilat nuk prodhojnë progres në drejtim të marrjes së statusit të vendit kandidat. Nuk ka nevojë më retorikë por ka nevojë për qartësi, për përgjegjshmëri dhe për kompromis të bazuar në shpirtin proevropian të popullit shqiptar,- tha Meta.

Duke komentuar zhvillimet e fundit në Këshillin Bashkiak, Meta tha se “Kemi një ish-kryetar të këshillit bashkiak, i cili shkel hapur ligjin dhe procedurat ligjore, i cili shpërfill kërkesat plotësisht të ligjshme të shumicës së këshilltarëve, i cili nuk kërkon të pranojë realitetin e ri, që do të thotë se PS-LSI janë një shumicë shumë solide dhe shumë e qartë në këshillin e Bashkisë së Tiranës.

Urdhri i marrë për të mos e pranuar këtë realitet, për të zvarritur në pafundësi deri në 23 qershor konfigurimin e ligjshëm dhe demokratik të shumicës së re në këshillin e bashkisë dhe njohjen e kryetarit të ri të këshillit bashkiak, natyrisht që vjen nga autori i dhunimit të KQZ-së si institucion i pavarur”,- tha Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›