Vrasja e 45 vjecarit në Lezhë, i biri rrëfen ngjarjen
LEZHE- 18 orë pas shoqërimit në Komisariatin e policisë Lezhë, djali i Lekë Bibës rrëfen për vrasjen e të atit në urën e Milotit. I shoqëruar në cilësinë e personit që mund të kishte dijeni për krimin e ndodhur natën e djeshme anës lumit Mat, Shkelzen Biba ka treguar për uniformat blu detaje të vrasjes që sipas tij është kryer nga 3 persona të panjohur për të. Sëbashku me të atin, ata ishin nisur nga Shkodra në drejtim të Tiranës ku edhe banonin prej disa vitesh, rrugës dikush i ka telefonuar duke i thënë se donte të takohej me ta. Takimi ka ndodhur në urën e Milotit pak metra nga vendi i krimit. Kanë qenë 3 persona që sipas djalit Shkëlzen Biba, kanë hipur në mjetin e tyre dhe kanë detyruar të atin e tij, që ishte duke i dhëne makines te shkonte disa metra me tutje. Pas kësaj njëri prej tyre ka qëlluar 45 vjecarin me levë në kokë, duke bërë që ai të humbasë drejtimin e makinës dhe të përfundojë në lumë. Deri këtu shkon kujtesa e të birit, i cili ka qenë në gjendje shoku për orë të tëra pa mundur të komunikonte me njeri . Trupi i Lekë Bibës u gjet pa jetë pak metra larg makinës me targa TR 6898 F. Policia e cila mbërriti menjëherë në vendgjarje tha se fillimisht u dyshua për një aksident të mundshëm automobilistik, por pas këqyrjes së kufomës rezultoi se bëhej fjalë për një ekzekutim me mjete të forta me pasojë vdekjen . Për policinë mbeten të paqarta shkaqet e ngjarjes si dhe të paidentifikuar autorët e saj. (e.n/News24/BalkanWeb)