E Diel, 1 Nëntor 2026

Prerja e pyjeve për qymyr drejt Greqisë, dy veta në pranga



Artan CENA
GJIROKASTËR - Prerja e sipërfaqeve të mëdha të pyjeve me qëllim për t’i kthyer në qymyr, që shitet në Greqi, kanë çuar në pranga drejtorin e Pyjores dega Përmet dhe ish-kreun e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në qarkun e Gjirokastrës. Ky fakt është bërë i ditur gjatë ditës së djeshme nga burime zyrtare të Policisë së Gjirokastrës. Këta të fundit thanë se arrestimet janë bërë dy ditë më parë, rreth orës 22:30, kur ata kanë qenë në banesat e tyre. Dy të arrestuarit janë: Mihallaq Çapollari, 60 vjeç, lindur dhe banues në Përmet, me detyrë drejtor i Drejtorisë së Shërbimit Pyjor, dega Përmet; si dhe Përparim Toro, 55 vjeç, lindur dhe banues në Gjirokastër, ish-kryetar i Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të pronave në qarkun Gjirokastër, në periudhën kohore 2005–2006. Ndaj dy të arrestuarve është ngritur akuza e “shpërdorimit të detyrës”. Përveç dy të arrestuarve, edhe dy të tjerë janë në hetim, por këta me masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje”. Burimet thanë se, njëkohësisht, veç Çapollarit dhe Toros, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër ka vendosur masën e sigurisë “detyrim për paraqitje” për shtetasin H. C., ish-anëtar i Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, si dhe për shtetasen V. Ç., që është marrë masa e sigurisë “detyrim paraqitjeje”.
Drejtori i Pyjores
Burime nga Policia kanë bërë të ditur se dy të arrestuarit kanë dhënë lejen e shfrytëzimit për një sipërfaqe të madhe pylli që është prerë. Pikërisht për këto abuzime kishin nisur dhe hetimet ndaj Toros dhe Çapollarit. Për të dy, urdhri i arrestit është lëshuar nga prokuroria, e cila kishte marrë dhe miratimin e gjykatës, që kishte dhënë masën e sigurisë “arrest me burg”. Mihallaq Çapollari, duke ushtruar detyrën e drejtorit të Pyjores, dega Përmet, me dashje ka lejuar të priten sipërfaqe të mëdha pyjore, rreth 2000 hektarë, në komunën e Çarshovës. Këto sipërfaqe ishin marrë në pronësi dhe prerë nga dy personat me inicialet V. Ç. dhe Z. Ç., me origjinë po nga Çarshova. Këta të fundit pretendonin se sipërfaqet pyjore i kishin pronat e tyre dhe kanë bërë prerjen e lëndës drusore duke e përpunuar dhe kthyer në qymyr druri dhe më pas e kanë eksportuar për në shtetin grek.
Ish-kreu i Pronave
Nga hetimet ka dalë se, Përparim Toro, në periudhën kohore 2005-2006, kur ai ka qenë me detyrë kryetar i Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në qarkun Gjirokastër, u ka dhënë shtetasve të sipërpërmendur certifikatën e pronësisë për një sipërfaqe prej 2300 hektarësh, nga të cilat 1400 hektarë u janë dhënë me vendim gjykate, ndërsa pjesa tjetër u është dhënë me dokumente të falsifikuara. Njëkohësisht, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër ka vendosur masën e sigurisë “detyrim për paraqitje” për shtetasin H. C., ish-anëtar i Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Edhe për shtetasen V. Ç. është marrë masa e sigurisë “detyrim paraqitjeje”. Burime zyrtare nga Policia kanë bërë të ditur se krimi është zbardhur pas një hetimi 6-mujor të bërë nga ana e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër në bashkëpunim me Sektorin Kundër Krimit Ekonomik në policinë lokale, në bazë të denoncimit të bërë nga ana e komunës Çashorvë. Pas ndalimit të dy personave policia tha se dosja me materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për hetime të tjera.

Greqi
Trafikantët braktisin në mes të detit 3 shqiptarë
KORFUZ - Tre emigrantë klandestinë shqiptarë janë braktisur gjatë natës duke gdhirë dita e djeshme në det, në kanalin mes Sarandës dhe Korfuzit. Lajmi është bërë i ditur nga Policia greke, e cila ka ndërhyrë dhe ka shpëtuar tre personat, të cilët ishin gati në mbytje. Tre emigrantët ishin dy burra dhe një femër, të cilët janë braktisur në mes të detit në Korfuz. Ngjarja ka ndodhur gjatë orëve të para të një dite më parë, kur forcat policore të Portit të Korfuzit panë në mes të detit një varkë. Menjëherë ata, me anë një motovedete, i janë afruar vendit të ngjarjes dhe nuk u kanë besuar syve nga pamja që kanë parë. Në një varkë ishin tre shqiptarë, të cilët ishin braktisur nga trafikantët. Nga deklarimet e bëra nga policia, nëse ndërhyrja do të ishte rreth 30 minuta më vonë, tre shqiptarët do të mbyteshin pasi varka mbante vetëm 105 kilogramë, ndërsa pesha ishte më e madhe. Sipas policisë, tre shqiptarët janë strehuar në Komisariatin e Kasiopit ku janë marrë në pyetje në lidhje me këtë ngjarje. Ata janë pyetur dhe në lidhje me personat që i kishin shoqëruar deri në atë vend, ku më pas i kanë lënë në mëshirë të fatit. Pas marrjes së dëshmive të tyre dhe detajeve të tjera në lidhje me këtë ngjarje, Policia greke tha se do të riatdhesojë tre emigrantët klandestinë.

Arrestohen tre shqiptarë,
vidhnin gomat e makinave
ATHINË - Në pranga ranë tre shqiptarë, të cilët vidhnin prej shumë kohësh gomat e makinave në Athinë. Një polic, i cili ishte jashtë shërbimit, po kalonte rastësisht në një rrugë në kohën kur ishte duke shkuar në shtëpi. Me dyshim të madh ai kishte parë tre persona, të cilët kishin ngritur në krik një makinë tip “Smart” dhe po i hiqnin gomat. Sipas deklarimeve të tij, në momentin e parë ai kishte menduar se automjeti ishte i tyre dhe kishte defekt. Por, duke ecur ai kishte parë se tre personat po i hiqnin makinës gomën e fundit. Kur ka parë këtë skenë, polici grek ka njoftuar menjëherë kolegët e tij që kanë mbërritur në vendin e ngjarjes. Policia ndaloi tre shqiptarët që sipas të dhënave ishin bërë tmerri i Veriut të Athinës, pasi kishin vjedhur gomat e dhjetëra makinave. Tre të arrestuarit janë dërguar në qeli dhe pritet që të dalin para gjykatës që të njihen me akuzat.

24 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›