Vajza shqiptare arrestohet për prostitucion
ATHINË - Një vajzë shqiptare është arrestuar nga Policia greke pasi është kapur duke ushtruar prostitucion. Burime nga policia helene kanë bërë të ditur gjatë ditës së djeshme se Policia e Atikisë ka vënë në pranga një vajzë shqiptare dhe një djalë, shoqëruesi i saj, emrat e të cilëve nuk janë bërë të ditur. Sipas të dhënave, vajza e arrestuar ofronte shërbime erotike në hotele luksoze të Athinës. Ndalimi i dy të dyshuarve është bërë mbrëmjen e dy ditëve më parë. Sipas informacioneve, policia e kishte gjetur vajzën nëpërmjet një gazete. Ajo kishte vendosur njoftim për shërbimet erotike e saj. Pasi kanë kontaktuar me të, një polic ka mbyllur takimin si klient dhe në momentin që vajza po zhvishej dhe kishte marrë paratë, ai e ka arrestuar atë dhe shoqëruesin e saj shqiptar.
Operacioni
“Hija e natës”,pranga anëtarit të organizatës së vjedhjeve
TIRANË - Vihet në pranga një nga drejtuesit e grupit të hajdutëve që u vunë në pranga më 12 dhjetor të vitit të kaluar. Burime zyrtare nga Policia e kryeqytetit kanë bërë të ditur gjatë ditës së djeshme se kanë vënë në pranga Drinald Matajn, 24 vjeç, nga Tirana. Ky i fundit, tha policia, ishte pjesë e grupit të arrestuar gjatë operacionit të koduar “Hijet e natës”. 24-vjeçari është arrestuar mbrëmjen e dy ditëve më parë, në afërsi të rrugës “Komuna e Parisit”. Më datë 12 dhjetor 2009, Prokuroria e Krimeve të Rënda kishte lëshuar një urdhër arresti ndaj tij, sepse ky person, në bashkëpunim edhe me disa persona të tjerë, tashmë të arrestuar, në kuadër të operacionit “Hijet e natës”, dyshohet se kanë kryer veprat penale të “vjedhjes së pasurisë me pasoja të rënda”, “krijimit organizimit dhe drejtimit të grupit të strukturuar kriminal” dhe të “kryerjes së veprave penale nga grup i strukturuar kriminal”. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka bërë të ditur se, "nga hetimet e kryera rezultoi se organizatorët dhe personat që piketonin objektivin e vjedhjeve janë Sylejman Bakalli, Elton Lika dhe Sajmir Kuçi. Të tre këta dyshohet se ideonin mënyrën se si do grabisnin objektivin e paracaktuar”.
“Në shumë raste ata shtireshin si punonjës pastrimi të ambienteve të brendshme, duke përdorur edhe tapete, fshesa dore në ambientet që hynin për të grabitur", - thuhet nga prokuroria. Veç të arrestuarve dhe të shoqëruarve një pjesë e tyre nën hetim, janë shpallur në kërkim edhe tre persona. Në shumicën e rasteve "banda" vepronte natën dhe për këtë qëllim, operacioni i policisë për arrestimin e tyre u kodua "Hija e natës". Për të realizuar grabitjen, anëtarët e "bandës", të drejtuar nga Bakalli, Kuçi dhe Lika, përveç sendeve që përdoreshin për të hapur dyert, si çelësa, kaçavida apo materiale të ndryshme, përdornin edhe copa të vogla tapetesh dhe batanije. Këto sende, sipas Akuzës, "banda" i përdorte për të humbur dyshimin se janë grabitës e për të lënë përshtypje se janë pastrues të ambienteve të brendshme të banesave, zyrave dhe bizneseve të ndryshme ku ata kanë kryer grabitjet.
Itali
Gjendet i vdekur emigranti shqiptar
LA SPECIA - Gjendet i ekzekutuar një emigrant shqiptar në Itali. Policia italiane ka mundur të identifikojë kufomën e gjetur mbrëmjen e dy ditëve më parë në qytetin La Specia, Itali. Ai është shqiptari Enver Veseli, 42 vjeç, që ishte prej 10 vitesh emigrant me dokumente të rregullta. Lajmi është bërë i ditur nga Policia italiane. Burimet thanë se policia kishte arritur ta identifikonte viktimën pasi kishte kontaktuar me familjarët e shqiptarit që jetonin në Emilia Romagna, i cili ishte zhdukur që nga e mërkura. Kishin qenë familjarët që kanë bërë denoncimin për zhdukjen e tij, pasi nuk kishin kontaktuar dot me të. Por çështja nuk është e mbyllur përfundimisht, pasi policia tha se viktima, që jetonte në një tjetër qytet, veç familjes, e ndante apartamentin me një tjetër shqiptar, i cili nuk është gjetur ende që të merret në pyetje. Ai është dhe personi i fundit që e ka takuar 42-vjeçarin dhe mbrëmjen e zhdukjes kanë qenë se bashku në një bar të zonës. Këto informacione policia i ka marrë nga disa dëshmitarë që i kishin parë së bashku në lokal. Sipas të dhënave, ai ishte punëtor në një atelie, por muaj e fundit kishte ngelur pa punë. Karabinierët kanë bërë të ditur se të gjitha pistat e hetimit janë të mundshme dhe për momentin nuk mund të përjashtohet asnjëra.
24 Prill 2010