E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja e shqiptarit, Kryekarabinieri italian fsheh provat e krimit



MILANO - Pesë persona janë vënë në pranga dhe një kryekarabinier italian që ishte duke bërë hetime në vendin e ngjarjes është vënë nën hetim për vrasjen e shqiptarit Artin Avrami, ngjarje e ndodhur më 25 janar të këtij viti. Media italiane ka bërë të ditur se vendimi është marrë nga prokurori i Milanos, Guido Salvini, gjatë hetimeve të bëra për vrasjen e 37-vjeçarit, emigrant shqiptar. Krimi kishte ndodhur gjatë natës së 25 marsit, në parkingun e lokalit “Il Brigante”, në Rho, Milano. Masa ndëshkimore është marrë ndaj kreut të karabinierëve të Rho, Michele Belingieri. Ky i fundit, gjatë hetimeve kishte lënë të dilte nga lokali një të dyshuar, i cili më pas është arrestuar për krimin. Ai është Domenico Fulciniti, i cili mbante pistoletën e përdorur nga vrasësi i shqiptarit, Cristian Bandiera. Ndërkaq, në pranga janë vënë dhe dy shqiptarë të tjerë dhe një italian. Ata janë, Artur Sulo, Arben Sulo dhe italiani Salvatore Fontana. Ngjarja kishte ndodhur pas komplimenteve të bëra në drejtim të një femre në lokalin e natës në Milano nga ana e viktimës, Artin Avrami. 37-vjeçari shqiptar u qëllua për vdekje me pistoletë, ndërsa një shqiptar tjetër, shok i tij, u plagos në ije dhe një italian që ndodhej me ta u godit disa herë me qytë pistolete në kokë. Krimi ndodhi pas një grindjeje të ndodhur brenda ambienteve të bar “Il Brigante” në Tavecchia numër 18 në Rho, provincë në Milano. Sipas të njëjtave burime, viktima me dy shokët e tij kishin shkuar për të pirë në lokal kur janë konfrontuar me një tryezë tjetër. Komplimentet për një vajzë që ndodhej në tryezën tjetër mësohet të kenë provokuar grindjen, e cila më pas ka precipituar në të shtëna arme. Avrami është përshkuar nga një plumb në gjoks duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Autorët u larguan nga vendi i ngjarjes, ndërsa karabinierët e skuadrës së Rho dhe ata të seksionit të hetimit të Monzës kanë shoqëruar dhe marrë deklarime për ngjarjen nga dëshmitarë të shumtë që ndodheshin në lokal. Në fakt, në lokal, në momentin e grindjes ndodheshin rreth 50 persona. Të shtënat në lokalin plot me klientë mësohet të kenë qenë më shumë se 10 plumba. Të dyshuarit u vunë në pranga disa ditë pas ngjarjes.

24 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›