E Diel, 1 Nëntor 2026

Filmon klipin e dasmës, vdes në aksident dhëndri



FIER - Një aksident i rëndë dhe tragjik ka ndodhur pasditen e djeshme në qytetin e Fierit. Një 24-vjeçar, emri i të cilit është Axhem Resuli, gjeti vdekjen si pasojë e përplasjes së automjetit me të cilin po udhëtonte dje në orët e pasdites. Policia tha se viktima po kthehej nga Apolonia, ku kishte xhiruar klipin e dasmës, të cilën e kishte planifikuar për ditën e diel. Makina ka qenë duke lëvizur në aksin rrugor Fier-Patos ku sipas policisë, 24-vjeçari ka kryer një parakalim të gabuar dhe për pasojë ka gjetur vdekjen në aksident. Deri tani nuk ka të dhëna për viktima të tjera në këtë ngjarje. Policia tha se grupet e gatshme të Policisë Rrugore dhe asaj të Rendit kanë mbërritur në vendin e ngjarjes për hetime të mëtejshme mbi aksidentin tragjik. Pritet që gjatë ditës së sotme të japin një raport të detajuar në lidhje me shkaqet e kësaj ngjarjeje të rëndë.

Aksion antidrogë, bien në pranga 18 persona

LA SPECIA - Një operacion blic i Policisë italiane, zhvilluar mëngjesin e djeshëm në La Spezia, u finalizua me arrestimin e 18 personave shqiptarë dhe italianë të akuzuar për trafikim dhe shpërndarje droge. Policia italiane bëri të ditur se 18 të arrestuarit kryenin furnizimin me drogë të një numri prej më se 50 shpërndarësish të identifikuar, të cilët u shisnin drogë përdoruesve të lëndës narkotike në disa qytete të Italisë. Hetimi për këtë çështje mësohet të ketë filluar në vitin 2008, pas ndalimit të disa shpërndarësve të drogës me sasi të vogla heroine dhe kokaine. Verifikimi i kontakteve të këtyre shpërndarësve të drogës i shërbeu policisë për të mbërritur deri te furnitorët e lëndës narkotike. Operacioni është koduar me emrin “Ullinjtë”, pasi trafikantët shfrytëzonin gjithnjë lagjet periferike të qyteteve me ullishte për të kryer këmbimin e sasive të drogës.

24 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›