Dita e Pavarësisë, Obama mesazh Topit
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, mori dje një mesazh urimi nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, me rastin e Ditës së Pavarësisë. “Me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së vendit tuaj, ju shpreh urimet më të mira për ju dhe popullin shqiptar! Në këtë vit të njëzetë të rivendosjes së marrëdhënieve dypalëshe diplomatike, ne festojmë miqësinë e fortë mes dy popujve tanë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë krenare që qëndrojnë krah për krah me Shqipërinë në Afganistan. Ne e kemi ruajtur përkushtimin tonë të përbashkët e të palëkundur për sigurinë dhe begatinë e Ballkanit. Qeveria amerikane vazhdon të mbështesë fuqimisht përpjekjet e vazhdueshme të Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian dhe presim ditën kur të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë integruar në një Europë të plotë, të lirë dhe në paqe. Ju lutem, pranoni urimet më të mira të popullit amerikan në përvjetorin e pavarësisë së vendit tuaj!”, - thuhet në mesazhin e presidentit Obama dërguar kreut të shtetit shqiptar.