Klosi: Në kryesinë e re, ata që kanë dhënë kontribute dhe vlera
Sekretari Organizativ i PS-së mohon të ketë listë paraprake kandidatësh për kryesinë dhe lë të hapur mundësinë e zgjerimit të saj
TIRANË Në kryesinë e Partisë Socialiste do të marrin pjesë vetëm ato figura që kanë dhënë kontribut dhe vlera për këtë forcë politike. Sekretari Organizativ i PS-së, Blendi Klosi, ka deklaruar dje se nuk ka një listë paraprake kandidatësh për kryesinë e re, pasi të drejtën e propozimit do ta kenë edhe anëtarë të Asamblesë Kombëtare. Por, i pyetur nga media se a do të jenë në kryesi edhe emrat kritikë brenda PS-së, Klosi u përgjigj: “Kongresi i PS-së dha mesazhe të qarta se PS-ja vlerëson me votë, me kontribute, vlerëson me punë dhe karrierë të gjithë ata që japin vlera dhe ofrojnë kontribute në PS, për të bërë në fund të fundit detyrën kryesore, që kjo forcë politike ka për transformimin e këtij vendi dhe fitoren e pushtetit”, - tha dje Klosi. Sekretari organizativ shtoi se, me miratimin e kryesisë së re, PS-ja mbyll edhe procesin e saj zgjedhor. “Në mënyrë shumë transparente dhe demokratike kemi zgjedhur kryetarët e organizatave dhe kryetarët e partive, delegatët dhe delegatet që zgjodhën më pas Asamblenë. Tashmë është procesi përmbyllës, ai i zgjedhjes së kryesisë së re dhe sekretariatit. Sa përket kryesisë së re, statuti e përcakton qartë, nuk i ngelet vetëm kryetarit të paraqesë një listë me alternativa, por i mbetet edhe Asamblesë që të paraqesë emra për kandidat për kryetar kryesie dhe sekretarë dhe pastaj do jetë vota e fshehtë e Asamblesë ajo që do të vendosë”, - sqaroi dje Klosi. Ai la të hapur edhe mundësinë e zgjerimit të kryesisë, sa kohë që edhe Asambleja Kombëtare e PS-së është më e madhe në numër. “Duke pasur parasysh se Asambleja ka një numër më të madh anëtarësh dhe kjo jo për të shtuar numrin e kësaj strukture, por për të pasur një përfaqësim më të madh të atyre që zgjidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë, por edhe për të pasur një shtrirje më të madhe gjeografike të Asamblesë, por edhe për ta kthyer këtë forum që punon më shumë për PS-në. Kemi një numër prej 233 anëtarësh në Asamble dhe natyrisht do të jetë ajo që do të vendosë për numrin, pasi është ekskluzivitet i Asamblesë numri i kryesisë.” - tha ai.