E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dita e Pavarësisë së SHBA, Thaçi uron Obamën

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka uruar sot presidentin amerikan, Barak Obama dhe popullin amerikan me rastin e 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë së SHBA-ve.

Në mesazhin e urimit drejtuar presidentit Obama, Thaçi Dita e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka frymëzuar popuj e kombe, lëvizje politike e ngjarje të mëdha në tërë botën, për të realizuar ëndrrat dhe idealet e lirisë, për të krijuar vende, shoqëri dhe kombe të lira e të emancipuara.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë luajtur rol historik në mbrojtje të popullit shqiptar në përgjithësi, dhe veçanërisht në përkrahjen e Kosovës në vitet 1998, 1999, që u kurorëzuan me çlirimin e Kosovës dhe hapjen e një perspektive të re. Jeta e lirë dhe ndërtimi i institucioneve të reja në Kosovë, të mbështetura vazhdimisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet mike, bënë që vendi ynë ta realizojë ëndrrën me të madhe historike, Pavarësinë e Kosovës, më 17 shkurt 2008” thuhet në mesazhin e Thaçit.

Më tej kryeministri Thaçi thekson se qytetarët e Kosovës u janë mirënjohës përjetë Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe popullit amerikan për kontributin e jashtëzakonshëm në çlirimin e Kosovës dhe në përkrahjen për ndërtimin e institucioneve të reja dhe demokratike.

“Kosova dhe institucionet e saj janë përkrahës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vlerësojnë lart kontributin e tyre në ruajtjen e paqes, krijimin e stabilitetit dhe përhapjen e vlerave globale anembanë botës” shton më tej Thaçi.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›