E Diel, 1 Nëntor 2026

“Dita e Rinisë” që solli ndryshim shumë të madh në Shqipëri

Në përkujtim të 18-vjetorit të ditës që hapi një faqe të re në historinë e zhvillimeve shoqërore e politike në vend


TIRANE - Sot mbushen plot 18 vjet nga dita që ishte dhe mbetet prelud i ndryshimeve të mëdha në Shqipëri. 8 Dhjetori i vitit 1990 kujtohet nga të gjithë brezat në vend, nga të moshuarit dhe të rinjtë, nga ish-të burgosurit dhe të persekutuarit, nga ata idealistë të shumtë që kërkonin një jetë më të mirë, që fjala e lirë të shpalosej anë e kënd vendit, nga Vermoshi ne Konispol, që Shqipëria e të gjithëve të çante muret e izolimit dhe t’i afrohej Evropës së qytetëruar. 8 Dhjetori i vitit 1990, që tashmë simbolizon Ditën Kombëtare të Rinisë Shqiptare, është dhe një ditë përkujtimore për ata mijëra e mijëra të rinj që bashkuan zemrat dhe shpirtin e tyre në protestat për ndryshimin e sistemit shoqëror e politik në Shqipëri. Ajo do të mbetet si një ditë e shënuar e mendimit të lirë shqiptar, e përpjekjeve të bashkuara për t’i dhënë fund sistemit njëpartiak në vend drejt demokracisë pluraliste. Rruga e fitores së rinisë shqiptare drejt demokracisë dhe pluralizmit nisi atë ditë të ftohtë dhjetori të 1990, kur nga sheshi që tashmë quhet “Demokracia”, të rinjtë me në krye tribunin e tyre, të paharruarin Azem Hajdari, liderin e pazëvendësueshëm të brezit të ri, vërshuan dhe mbushën rrugët e Tiranës, duke përçuar frymën e protestës mbarëpopullore, të bashkimit dhe të fitores. Lëvizja studentore u përhap shumë shpejt nga Tirana drejt rretheve të tjera të vendit, në Shkodër, Korçë, Elbasan, Gjirokastër, në mbarë Shqipërinë, ku studentët dhe gjithë brezi i ri demonstruan shpirtin e tyre të lirë, përgjegjësinë e madhe politike, duke dhënë kështu një kontribut të jashtëzakonshëm drejt sistemit pluralist demokratik. Të gjithë brezat kujtojnë me krenari në 8 dhjetorin e këtij viti arritjet e shënuara pas lëvizjes së madhe studentore në Shqipëri si, kërkesat këmbëngulëse për vendosjen e pluralizmit në vend, mbajtjen e zgjedhjeve të para demokratike, forcimin vit pas viti të shtetit demokratik e ligjor në vend, zhvillimet e njëpasnjëshme politike, ekonomike e shoqërore, që kanë ndryshuar Shqipërisë nga viti në vit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›