E Diel, 1 Nëntor 2026

Koleksioni i pikturave është një pjesë e traditës Korçare që duhet ruajtur

Një banesë moderne e kohëve të sotme, hijeshinë e arrin kur mban brenda saj dhe vepra artistike e ndër to zbukurime me piktura, mendon koleksionisti korçar i pikturave Lorenc Glozheni. Në koleksionin e tij ruan një traditë qytetare të pikturave, një pjesë të të cilave i ka paraqitur këto ditë edhe në ekspozitën e koleksionistëve të qytetit që u çel në galerinë e artit " Guri Madhi", në Korçë. Në një intervistë të dhënë sot, Glozheni thotë se ka koleksionin më të madh të pikturave në qytetin e Korçës, me rreth 180 të tilla, ndërsa dëshiron që kjo pjesë e traditës korçare të ruhet.

Ju si koleksionist jeni paraqitur në këtë edicion të dytë të ekspozitës së pikturës me disa vepra të koleksionit tuaj privat. Eshtë një pasion i juaji koleksioni i pikturave, apo një trashëgimi familjare?
Pasioni për pikturën tek unë është edhe krenari qytetare edhe një dëshirë për prezantim. Koleksioni i pikturave është një pasion imi për këtë lloj arti, por unë ruaj edhe një traditë familjare. Nga këto piktura që shihni, disa janë punime të vjetra të viteve 1920-1930 që i ka patur familja ime. Unë vetë, duke qënë në kontakt të vazhdueshëm me artistët e penelit, më është shtuar dëshira të pasuroj koleksionin tim privat. Vizitoj çdo ekspozitë pikture, në të cilat ble punime për të shtuar koleksionin tim. Një pjesë i kam dhurata nga vetë piktorët që më nxisin kështu të pasuroj edhe më shumë koleksionin.

Sa punime në pikturë ruani në koleksionin tuaj privat?
Në koleksionin tim të krijuar prej vitesh ruaj reth 180 punime, 14 prej të cilave i kam paraqitur në këtë ekspozitë. Janë piktura të teknikave dhe gjinive të ndryshme të punuara nga autorë vendas apo të huaj që përbëjnë një pasuri artistike të familjes sime.

Çfarë shpreh ky organizim i ekspoztës së koleksionistëve korcarë që këtë vit paraqiten në edicionin e dytë të këtij aktiviteti, të cilin synojnë të shëndrojnë në një traditë?
Nuk është thjesht një dëshirë për të bërë të njohura veprat e koleksionit tim privat në publik, por mendoj se kjo shërben edhe si nxitje për bashkëqytetarët e mi që të pasurojnë këtë traditë. Kjo është pjesë e kulturës qytetare korçare, pasi dihet se familjet e vjetra të qytetit tonë ruanin vepra arti. Unë di se janë të paktën 20 koleksionistë në qytetin e Korçës për veprat në pikturë. Edhe në aktivitetin e sivjetshëm të kolonisë së piktorëve kam blerë 3 piktura të cilat janë bërë pjesë e koleksionit tim. Nuk ka rast më të mirë se sa kjo ekspozitë e koleksionistëve korçarë që ky fond të njihet edhe nga bashkëqytetarët e mi apo çdo artëdashës që viziton ekspozitën.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›