“E djathta, e bashkuar, për të reduktuar humbjen e votave”

Presidenti i nderit i Partisë Republikane, Sabri Godo, flet për zgjedhjet e vitit 2009
TIRANE - Në prag të hyrjes në vitin elektoral, partitë politike fillojnë edhe lëvizjet parapërgatitore për ndërtimin e koalicionit që do të marrë pjesë në zgjedhje. Në këto kushte, Presidenti i nderit i Asamblesë së Partisë Republikane, Sabri Godo, thekson se ndarja e politikës shqiptare në 4 pole, është një lloj hamendësimi apo presion partiak i lëshuar qëllimisht. Sabri Godo gjykon se është e tepërt të flitet për pole të majta ose të djathta kur konturet e koalicioneve brenda secilit kamp ende nuk janë kristalizuar dhe të lëkundurit mund të rikthehen. “Unë nuk i shoh qartë këto katër pole. Flitet për to por akoma nuk shoh të jetë shkruar ndërmjet palëve për ndonjë marrëveshje. Ne s’kemi punë me asnjë pol tjetër përveç një koalicioni me Partinë Demokratike. Se cilat parti të tjera do të jenë në këtë koalicion nuk do ta them sot sepse ende nuk janë hapur tratativa bisedimesh”, tha Godo. Për presidentin e nderit të PR-së, ekziston një formulë që mund të reduktojë humbjet e votave në secilin kamp për shkak të prezantimit të përçarë në zgjedhje, dhe kjo formulë sipas Godos është aleanca paszgjedhore. “Mirë do të ishte që e djathta të dilte e bashkuar në zgjedhje. Nëse një grupim tjetër i djathtë merr vota gjithashtu për llogari të së djathtës atëherë themi se ka fituar e djathta në zgjedhje. E njëjta gjë ngjet me socialistët dhe me LSI-në. Nëse ata veç e veç marrin shumicën e votave u takon atyre të bëjnë qeverinë. Nuk e shoh këtë si ndonjë ngjarje shumë tronditëse”, tha Godo.
...