E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dita e Shëndetit Mendor, aktivitete në kryeqytet

Në kuadër të Ditës Botërore të Shëndetit Mendor, në kryeqytet janë zhvilluar një sërë aktivitetesh. Cirku i Metropolit ka dhënë një shfaqje të vecantë për personat me probleme të shëndetit mendor, ndërsa MSH ka folur mbi reformat që do të zbatohen. 

TIRANE- Dita Botërore e Shëndetit Mendor është shoqëruar me një sërë aktivitetesh në kryeqytet. Solidariteti në emër të humanizmit për personat me probleme të shëndetit mendor ka sjellë në arenën e Cirkut të Metropolit një shfaqje për këtë target grup shoqëror. Në mbështetje të të gjithë personave që kanë nevojë për përkrahje, artistë të Cirkut të Metropolit në Tiranë kanë përcjellë për publikun numra të shumtë artistikë, në prani dhe të personave të cilët vuajnë nga probleme të shëndetit mendor, si një mesazh për integrimin e tyre në shoqëri dhe trajtimin si të gjithë personat e tjerë.
Ministria e Shëndetësisë në kuadër të kësaj dite ka folur mbi strategjitë që do të ndiqen për këtë kategori të caktuar shoqërore mbi trajtimin e tyre shëndetësor.

“Ministria e Shëndetësisë rikonfirmon edhe njëherë angazhimin e saj të plotë për të zbatuar reformën e shërbimeve të shëndetit mendor në Shqipëri. Për Ministrinë e Shëndetësisë, reforma në sistemin e shëndetit mendor mbetet një prioritet që do të ketë vëmendje dhe mbështetje maksimale nga i gjithë sistemi shëndetësor shqiptar” theksoi zëdhënësja e Ministrisë së shëndetësisë.

Numri i personave të trajtuar nga crregullime të shëndetit mendor ka ardhur në rritje vitet e fundit. Kujdesi për ta është pjesë e paketës bazë të shërbimeve shëndetësore. Sipas të dhënave nga Instituti i Sigurimeve të kujdesit shëndetësor në 6 mujorin e parë të vitit 2009 llogariten të jenë trajtuar 18.499 raste me crregullime të shëndetit mendor nën kujdesin e shëndetit parësor. Ky numër pritet të rritet në masën 1.5% kundrejt 1.3% që ishte në vitin 2008. (e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›