E Diel, 1 Nëntor 2026

Dita e Tokës, Arvizu tek ‘Zyber Hallulli’: Më shumë vëmendje ndaj natyrës

TIRANË- Në kudër të 22 Prillit, Ditës Ndërkombëtare të Tokës Ambasadori Arvizu së bashku me të rinjtë e programit 'Yes' kanë mbjellë disa fidane në oborrin e shtëpisë së fëmijës ‘Zyber Hallulli’ në Tiranë. Arvizu apeloi që pavarësisht gjithçkaje që po zhvillohet këto ditë në Shqipëri le të marrim një moment dhe të kujtojmë rëndësinë që ka natyra dhe mjedisi për të ardhmen tonë.

“Pavarësisht gjithckaje që po zhvillohet këto ditë në Shqipëri le të marrim sot një moment, në mënyrë që të përsiatemi për natyrën, mjedisin dhe të ardhmen. Po e përkujtojmë Ditën e Tokës së bashku me shtëpinë e fëmijës, e cila është duke bërë sot një punë shumë të mirë dhe këtë po e përkujtojmë me mbjelljen e këtyre pemëve. Është një xhest i vogël, por për të na përkujtur të gjithëve se ajo që bëjmë në një farë mënyre, do të na kthehet në natyrë.

Ndërsa drejtoresha e kësaj qendre Albana Dule deklaroi se kjo ditë festohet ndryshe në këtë qendër falë mbështetjes nga Ambasada Amerikane.
“Për herë të parë në këtë shtëpi kjo ditë festohet ndryshe dhe kjo falë mbështetjes së Ambasadës Amerikane. Në veçanti dua të falenderoj edhe studentët e programit 'Yes', të cilët janë këtu vullnetarisht për të mësuar fëmijët e kësaj shtëpie të mbjellin pemë, për t’ju shtuar atyre dashurinë për tokën, për të rregulluar raportet e tyre me natyrën, duke e ditur sa e rëndësishme është ajo për shëndetin tonë”, tha Dule.

Sakaq një prej studentëve të programit 'Yes', Linda Bardhi ishte pjesë e ndihmës së fëmijëve të Zyber Hallullit për të njohur natyrën dhe mbjellë pemë.

Dita Ndërkombëtare e Tokës konsiderohet si dita e apelimit ndaj problemeve kryesore që lidhen me degradimin e tokës, si rezultat i braktisjes dhe keqpërdorimit të saj.
(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›