E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli uron Kosovën për hapjen e negociatave të MSA-së me BE-në

TIRANË - Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, uroi të hënën Kosovën për rekomandimin e Komisionit Evropian për hapjen e negociatave për MSA-në Kosovë-BE. Urimet e saj znj. Topalli i përcolli edhe në takimin me z. Gjergj Dedaj, kryetar i Partisë Liberale të Kosovës, parti anëtare e Internacionales liberal-demokrate.

"Me shumë kënaqësi mësova lajmin e mirë për propozimin e KE-së për hapjen e negociatave për MSA-në Kosovë-BE, dhe ju bëj urimet më të mira me gjithë zemër për këtë hap të rëndësishëm në rrugën europiane të Kosovës dhe për ardhmërinë e popullit të Kosovës", u shpreh kryeparlamentarja.

Nga ana e tij, z. Dedaj tha se këto urime u takojnë edhe liderëve të Shqipërisë. "Ju na keni dhënë mbështetjen, na keni dhënë kurajon, por edhe mësimin për të ecur drejt vlerave të demokracisë europiane. Ju personalisht, jeni figura e një zonje që na jep zemër e shpresë", tha kryetari i Partisë Liberale të Kosovës.

Në shenjë mirënjohje e respekti z. Dedaj i dorëzoi kryetares Topalli çmimin prestigjioz "Marie Shllaku", një prej heroinave më të njohura shkodrane. që u pushkatua në moshën 24- vjeçare nga regjimi serb, për shkak të luftës së saj të paepur për çlirim të Kosovës.

E prekur nga ky çmim, kryetarja e Kuvendit tha se "respekti për emrin e Marie Shllakut i bën nder Kosovës, Shqipërisë e të gjithë shqiptarëve kudo janë dhe sigurisht për mua personalisht është një nder shumë i çmuar".

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›