E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dita e Verës, festa kulmon në Elbasan dhe Tiranë

TIRANE - Sot në të gjithë vendin festohet Dita e Verës. Në Elbasan, aty ku kjo festë është tradicionale, festimet kanë nisur që mbrëmjen e djeshme me koncerte të shumta në qendër të qytetit. Ndërkohë gjatë ditës së sotme janë parashikuar një sërë aktivitetesh ku muzika dhe festa do të vijojnë deri në agim.

Kryeministri Sali Berisha ka zgjedhur sot Elbasanin për të festuar Ditën e Verës. I shoqëruar nga bashkëshortja dhe dy mbesat e tij, kryeministri Berisha ka vizituar panairin e Ditës së Verës.

Gjatë festimeve për Ditën e Verës nuk do të mungojë për asnjë moment edhe ëmbëlsira karakteristike e kësaj dite ballokumja, e gatuar me mjeshtëri nga gratë elbasanase.

Edhe kryeqyteti i vendit, Tirana, është veshur me një dekor të veçantë për këtë ditë. Bashkia ka njoftuar organizimin e një sërë aktivitetesh si panairin e produkteve shqiptare koncerte në sheshet kryesore etj.

PANAIRI, BASHA: TIRANA MIRËPRET 100 BIZNESE SHQIPTARE
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha zgjodhi panairin e organizuar në rrugën pedonale “Murat Toptani” për të falenderuar të gjithë qytetarët që kanë zgjedhur Tiranën për të kremtuar festën pagane të Ditës së Verës.
“Keni bërë zgjedhjen e duhur, sepse sot Tirana ka hapur dyert e shpirtin e saj mikpritës për shqiptarët nga të gjitha trojet, për të festuar ditën e largimit të dimrit.”- deklaroi Basha.
Kryebashkiaku theksoi se Tirana mirëpret sot 100 biznese shqiptare, pjesëmarrëse në panairin e panairin e Ditë së Verës.
“Ftoj qytetarët e Tiranës të vizitojnë këtë panair, i cili do t'i japë impuls prodhimeve shqiptare në Europën juglindore dhe në Ballkan.”- u shpreh Basha.

BERISHA NË DITËN E VERËS: SOT, ELBASANI ËSHTË KRYEQYTETI I SHQIPTARËVE
Kryeministri Sali Berisha ka zgjedhur sot Elbasanin për të festuar Ditën e Verës. I shoqëruar nga bashkëshortja dhe dy mbesat e tij, kryeministri Berisha ka vizituar panairin e Ditës së Verës ku ka dhënë dhe një prononcim për mediat.
"Sot Elbasani është kryeqyteti i Shqipërisë. Këtë vit, festa e Ditës së Verës përkon me 100-vjetorin e pavarësisë së vendit. Sot ne festojmë më mirë falë arritjeve dhe progresit ekonomik" ka theksuar kryeministri Berisha ndërsa premtoi se qeveria do t`i ofrojë mbështjetje të fuqishme biznesit shqiptar.

FESTIMET E DITËS SË VERËS NE ELBASAN
Që në orët e para të paradites janë fëmijët ato të cilët presin të festojnë në qendër të qytetit, në krosin e përvitshëm, si edhe në aktivitetin e karnavaleve organizuar nga Qendra e Artit, me shkollat 9-vjeçare të qytetit.

Të gjitha lokalet e qytetit, por sidomos ato në zonat turistike në periferi e kanë destinuar menynë e tyre kryesore të gatimit vetëm për ditën e kësaj feste të madhe. Pothuajse në të gjitha rrugicat por më së tepërmi në dy bulevardet kryesore të qytetit syri të rrok lule të freskëta dhe bollokume.

Të festosh në Elbasan ditën e parë të verës, ose siç quhet ndryshe në zhargonin popullor "Festa e Luleve", është një fat për për ata që vijnë nga larg dhe një privilegj për elbasanasit.

Atmosfera e natës së verës nisi që mbrëmë, me perëndimin e diellit, për të përfunduar në orët e para të mëngjesit të sotëm. Sheshi "Gensher" i qytetit ishte mbushur plot me qytetarë elbasanas, të cilët kishin lënë shtëpitë e tyre rreth orës 19.00 të mbrëmjes.

Dita e sotme i ka lënë vendin dhjetëra veprimtarive të tjera argëtuese e festive të organizuara nga Bashkia e qytetit dhe ku pritet të vijnë dhe lider të politikës shqiptare si kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i PS-së, Edi Rama.

PROGRAMI FESTIV NE TIRANE
“Në rrugën “Murat Toptani”, në orën 10.00 hapet Panairi i Produkteve Shqiptare, i cili bashkon biznese të të gjitha trevave shqiptare, nga Kosova, Mal i Zi, Maqedonia, Presheva e Shqipëria. Hapja e këtij panairi në rrugën “Murat Toptani” do të shoqërohet edhe me performancën e Ansamblit të Qytetit.

Në Lulishten “3 Vëllezërit Frashëri” do të kompozohet qyteti i artit. Dekorimi i kësaj qyteze do të shoqërohet me muzikën e një bande rock dhe do të rrethohet nga piktorë e piktura të punuara nga nxënës të Liceut Artistik “Jordan Misja”.

Nën atmosferën e personazheve të dashur për fëmijët të cilat do të sillen nga animatorë profesionistë, do të organizohen lojëra për të gjithë fëmijët, në lulishten në qendër të qytetit. Të gjithë lojërat do të shoqërohen me shfaqjen teatrore të Qendrës Kulturore “Tirana”. Këto festime do të fillojnë në orën 11:00, deri në orën 14:00 pranë “Parkut Rinia”.

Festimet do të kulmojnë në sheshin “Nënë Tereza” me Karaoken që do të organizohet me pjesëmarrjen e disa këngëtarëve të mirënjohur. Shfaqja do të transmetohet në ekranin e skenës, nga e cila do të ftohen qindra qytetarë të këndojnë live këngë të njohura. Karaoke do të fillojë në orën 11:00, për të vazhduar deri në orën 14:00.”

(er.nu/d.b/BalkanWeb) Lidhje te tjera FOTO: Dita e Verës, Tirana dekorohet me lule shumëngjyrëshe Dita e Verës, historia e festës tradicionale Berisha: Sot, Elbasani është kryeqyteti i shqiptarëve Panairi, Basha: Tirana mirëpret 100 biznese shqiptare Dita e Verës, festime ne rrethe të tjera në vend

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›